TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
28 subjekte politike janë në garë sot kur qytetarët e Kosovës pritet t’u drejtohen kutive të votimit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare.
Për postet e deputetëve, janë gjithsej 1.2800 kandidatë që kanë kërkuar besimin e qytetarëve, ndërsa numri i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës është 2 milionë e 75 mijë e 868.
Ndër subjektet më të mëdha politike që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosja VV e udhëhequr nga Albin Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, Partia Demokratike e Kosovës PDK me kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamza, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Materialet janë shpërndarë në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në orët e hershme të së dielës, do të shpërndahen në qendrat e votimit, në të cilat procesi i votimit do të fillojë në orën 07:00. Numri i qendrave të votimit të cilat do të hapen më 9 shkurt 2025 është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt me gjithsej 2,533 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht, nga një për çdo komunë, me gjithsej 56 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda në Kosovë, është: 1,970,944.
Risia e procesit të këtij viti, është që heshtja zgjedhore, pas ndryshimeve ligjore, do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit.
Pra heshtja zgjedhore do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit më 9 shkurt në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.
Deri më tani, partitë janë zotuar se do të garojnë pa koalicione, ndërsa rezultatet e zgjedhjeve priten fillimisht, për të vlerësuar më pas mundësitë për koalicionet pas-zgjedhore.
Ndryshimet në ligjin për zgjedhjet
Me ligjin e ri janë bërë disa ndryshime në procesin e votimit brenda dhe jashtë vendit. Duke filluar nga zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në dhjetë kandidatë të një subjekti politik.
Për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, që nga këto zgjedhje, lehtësohet procesi i votimit. Përveç dërgimit të fletëvotimeve me postë në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e nëntë shkurtit do të mund të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike.
Zëdhënësi i KQZ në Kosovë, Valmir Elezi ka mbajtur konferencën e parë për mediat, ku ka dhënë detaje nga nisja e procesit të votimit.
Sipas tij votimi ka nisur në të gjitha qendrat, ndërsa theksoi se përveç votimit të rregullt në këto qendra, KQZ ka caktuar edhe 38 qendra te votimit me kusht nga një për cdo komunë.
Po ashtu, Elezi u shpreh se janë 1 970 944 votues, 28 subjekte politike dhe 1279 kandidatë.
“Në të gjitha qendrat e votimi ka filluar procesi i votimit. Përveç votimit të rregullt në këto qendra, KQZ ka caktuar edhe 38 qendra te votimit me kusht nga një për cdo komunë. Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë votë eshtë 1 970 944 votues. Numri i subjekteve që marrin pjesë është 28, nga këto 20 janë parti politike, 5 koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Numri i kandidatëve është 1279 kandidatë. KQZ u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese”, tha Valmir Elezi zëdhënësi i KQZ.