AKTUALITET, 7 Maj 2024, 08:36

Sot protesta para Bashkisë Tiranë/ Policia publikon planin e masave, rrugët që do të bllokohen

Sot protesta para Bashkisë Tiranë/ Policia publikon planin e masave,

Ditën e sotme do të mbahet protesta e radhës e thirrur nga opozita dhe "Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit" para bashkisë së Tiranës. Ndërkohë Policia e Shtetit ka publikuar edhe planin e masave të marra në kuadër të protestës.

Sipas njoftimit prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye policia sugjeron që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga "Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit", ditën e sotme, 7 maj 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës.

Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, sot, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore.

Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t'u distancuar nga çdo akt dhune.

Protesta e fundit e zhvilluar para bashkisë u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Kulmi i tensioneve u shënua pas tentativave të shpeshta të këshilltarëvë e opozitës dhe qytetarëve për tu futur brenda objektit të bashkisë. Ata gjithashtu arritën të shkulnin gardhin metalik i cili ishte instaluar me vida në tokë. Protestuesit gjithashtu qëlluan me gurë efektivët e policisë të cilët iu kundërpërgjigjen me gazlotsjellës. Një tjetër incident i cili u regjistrua në protestën e javës së kaluar ishte kur një efektiv policie humbi ndjenjat dhe u mor nga ambulanca. 

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj për aferën e Inceneratorit të Tiranës si dhe të dosjes 5D. Ata kërkojnë që SPAK të vërë para përgjegjësisë personat e akuzuar për vjedhjen e tenderave të Bashkisë Tiranë.