AKTUALITET, 15 Mars 2026, 10:35

Sot bëhen 18 vite nga masakra e Gërdecit, askush në burg për 26 të vrarë dhe 300 të plagosur

Sot bëhen 18 vite nga masakra e Gërdecit, askush në burg për

Sot bëhen 18 vite nga tragjedia e Gërdecit, që mori jetën e 26 personave dhe la 300 të tjerë të plagosur, duke shkatërruar gjithashtu banesa dhe jetët e shumë familjeve në zonë.

Ky shpërthim mbetet një nga ngjarjet më tragjike në historinë e Shqipërisë. Edhe pse kanë kaluar vite, hetimet janë ende të hapura.

Deri më sot, askush nuk është dënuar për akuzën e vrasjes dhe përgjegjësit kryesorë nuk kanë marrë dënime për këtë vepër penale. Ndërkohë, një hetim i hapur nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash ende nuk ka dhënë rezultate konkrete.

Nga 28 të pandehur morën dënime në pranverën e vitit 2012, katër vite pas tragjedisë. Dënimin më të rëndë, 18 vite burg, e morën Ylli Pinari, ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore të import-eksportit të armëve “Meiko”, dhe Dritan Minxolli, drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec.

Ndërsa pronari i fabrikës, Mihal Delijorgji, u dënua me 10 vite burg. Për të tre këta persona ishte kërkuar burgim i përjetshëm.

Për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i cili thuhet se është larguar nga vendi, u dha një dënim me 6 vite burg, ndërsa disa ish-gjeneralë të tjerë u shpallën të pafajshëm.

Punonjësit, sipas dëshmive të kohës, ishin të punësuar në të zezë, ndërsa mes tyre kishte edhe të mitur. Ngjarja u cilësua zyrtarisht si “aksident teknologjik”, por shumë hetime dhe raportime ngritën dyshime të forta për një skemë të mirëorganizuar korrupsioni, ku përfitimet financiare u vendosën mbi sigurinë e njerëzve.

Procesi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu mbeti për vite të tëra i bllokuar për shkak të imunitetit parlamentar që ai rifitoi pas zgjedhjeve të vitit 2009.

Vetëm pas më shumë se një dekade, çështja u rihap me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas këmbënguljes së familjes Durda, e cila humbi djalin në tragjedinë e Gërdecit. Procesi gjyqësor ndaj Mediut po zhvillohet në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Tiranë. Ai është dërguar në gjyq për akuzën e shpërdorimit të detyrës sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, ndërsa SPAK nuk ka ngritur akuza të reja përtej atyre ekzistuese.

Sipas prokurorisë, ndryshimet ligjore të viteve 2012 dhe 2017 e kanë hequr pengesën e imunitetit parlamentar për ndjekjen penale të deputetëve, duke i hapur rrugë gjykimit të tij.

Në këtë proces janë marrë në pyetje dhjetëra dëshmitarë, megjithëse shumë prej tyre kanë refuzuar të flasin. Në gjykatë është thirrur edhe Shkëlzen Berisha, i cili ka mohuar çdo përfshirje në këtë çështje. Edhe vetë Fatmir Mediu ka deklaruar se procesi ndaj tij është i motivuar politikisht.

Ndërkohë, një hetim i hapur nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me skandalin e Gërdecit mbetet ende pa një rezultat përfundimtar.

Tetëmbëdhjetë vite pas tragjedisë, familjarët e viktimave dhe opinioni publik vazhdojnë të presin përgjigje dhe drejtësi për një ngjarje që tronditi Shqipërinë dhe që mbetet një nga plagët më të hapura të shtetit shqiptar.