TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar qytetarët për një skemë të re mashtrimi me SMS, ku dërgohen mesazhe që ngjajnë si njoftime zyrtare të Policisë Rrugore për shkelje të qarkullimit rrugor apo pagesë gjobash.
Sipas AKSK-së, mesazhet vijnë nga numra të huaj dhe përmbajnë lidhje të dyshimta, afate të shkurtra për kryerjen e pagesës, paralajmërime për masa administrative, si edhe oferta për ulje të vlerës së gjobës. Qëllimi i tyre. sipas AKSK-së. është të krijohet ndjenja e urgjencës, në mënyrë që qytetarët të klikojnë te lidhjet mashtruese ose të japin të dhënat e tyre personale dhe bankare.
Përmes një njoftimi për shtyp të shpërndarë të premten, Autoriteti u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në këto lidhje, të mos u përgjigjen kërkesave për konfirmim apo dërgim të të dhënave personale dhe të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve.
AKSK këshillon gjithashtu që numri dërgues të bllokohet dhe mesazhi të raportohet si spam. Nëse dikush ka vendosur të dhënat e kartës bankare në një nga këto faqe mashtruese, duhet të kontaktojë menjëherë bankën përkatëse për të marrë masat e nevojshme, thotë AKSK-ja
Autoriteti rikujton qytetarët se institucionet publike nuk kërkojnë pagesa, kode sigurie, fjalëkalime apo të dhëna bankare përmes lidhjeve të dërguara nga numra të panjohur dhe u bën apel atyre të mos veprojnë nën presion, por të verifikojnë çdo njoftim përpara se të klikojnë në lidhje të panjohura.