AKTUALITET, 2 Shkurt 2023, 10:59

Skandali “McGonigal”/ Zhupa kërkon kryeministrin Rama në Kuvend: Ndryshe seancë normale nuk mund të ketë

Skandali “McGonigal”/ Zhupa kërkon kryeministrin Rama në

Deputetja demokrate Ina Zhupa kërkoi praninë e kryeministrit Edi Rama në Kuvend për të folur për skandalin “McGonigal”, ndërsa e quajti si një “tradhtar të korruptuar”.

Zhupa akuzoi kryeministrin se ka vënë në dyshim aleancën me SHBA dhe korruptoi për të goditur opozitën. Deputetja paralajmëroi se nëse Rama nuk vjen në kuvend nuk do të ketë seancë normale.

“Zonja kryetare keni shkelur rregulloren në mënyrë të vazhdueshme duke i mohuar të drejtën opozitës për të zhvilluar një mocion me debat për kryeministrin për një aferë që po flet e gjithë bota.

Në Shqipëri kemi një tradhtar të korruptuar që na ka vënë në dyshim aleancën me SHBA, ka vënë në rrezik stabilitetin si vend i NATO dhe një tradhtar të korruptuar për të goditur opozitën, për të bërë biznes me rusët, për të pasuruar oligarkët. Sot Deripaska nuk duhet të ishte aksioner, ku fshihet Rama?

Cila është kjo flamë që e ka zënë që pi kafe në zyrë por nuk vjen në parlament se ai arriti që emrin e Shqipërisë ta baltosi në mënyrën më të pështirë të mundshme ne duam që tradhtarin e korruptuar ta sillni këtu që të përballet me të vërtetat dhe të vijë të flasë për miqtë e tij shqip apo anglisht le të vijë Edi Rama këtu se ndryshe seancë normale nuk mund të ketë”, tha Zhupa.