AKTUALITET, 2 Shkurt 2023, 10:39

Skandali "McGonigal"/ Rama mungon në seancë, foltorja e Kuvendit bllokohet nga deputetët e PD-së: Të anulohet votimi i seancës së kaluar

Skandali "McGonigal"/ Rama mungon në seancë, foltorja e

Tensionet kanë vijuar në seancën plenare të kësaj të enjteje, ku deputetët e opozitës mbështetës të Sali Berishës, por edhe të grupit tjetër bllokuan foltoren e Kuvendit, ku mungon Edi Rama.

Ndërsa nga vendi deputeti Gazment Bardhi kërkonte fjalën, Nikolla ju drejtua me fjalët “kujdes etikën të kujtoj etikën dhe qytetarinë, nuk e merr fjalën duke bërë kërcënime”.

Ndërkohë që në foltore, rrethuar nga Garda e mori fjalën deputetja Albana Vokshi e cila tha:

“Nuk ka më turp se ky procesverbal, tregon mënyrën si po e keqdrejtoni këtë kuvend. Këtu kam një video. (dhe tregon videon ku flet Rama për ish zyrtarin e FBI)

Nikolla: Ky nuk është procesverbal. Nuk mund të hamendësoni cfarë është e cfarë mungon. Herën e kaluar fjala ju është dhënë po kishit bllokuar foltoren.

Ndërkohë pas kësaj Kuvendi heq audion dhe kryetarja e Kuvendit ia jep fjalën deputetit Gazment Bardhi i cili tha se në seancën e kaluar i është hequr fjala 54 deputetëve të opozitës.

Nikolla: Zoti Bardhi fjala për ju.

Bardhi: Ju thatë që Kuvendi ka një rregullore, në procesverbal mungon fjala e 54 deputetëve të opozitës. Në mënyrë antikushtetuese ju vetëm nga frika që kryeministri të përballej me opozitën për një skandal të përmasave ndërkombëtare i hoqët të drejtën e fjalëve 54 deptuetëve të opozitës.

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi, iu drejtua kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla duke i thënë se ka shkelur rregulloren në seancën e shkuar, duke i mohuar të drejtën e fjalës 54 deputetëve të opozitës.

Bardhi tha është dakord që të bëhet mocion me debat, me kohë të palimituar, për çështjen e ish-zyrtarit të FBI, Charles McGoigal, dhe përmendjen e emrit të kryeministrit Edi Rama në aktakuzë.

“Në procesverbalin mungon fjala e 54 deputetëve të opozitës. Ju në kundërshtim me rregulloren, vetëm nga frika që kryeministri të përballej me opozitën, i hoqët seancën e shkuar të drejtën e fjalës 54 deputetëve të opozitës. Sipas rregullores në rast se në sallë shkaktohet kaos, drejtuesi pezullon seancën. Nëse kaosi vijon, ndërpritet seanca dhe zhvendoset rendi i ditës. Akti i vetëm që mund të bëni sot, është anulimi i atij procesi të turpshëm votimi, ku u miratuan ligje pa i njohur dhe u dhënë të drejtën kushtetuese deputetëve të opozitës”, tha Bardhi.