AKTUALITET, 22 Janar 2025, 16:18

Situata e gripit/ Koçiu me drejtuesit e strukturave shëndetësore: Vaksinimi mënyra më efikase, strukturat në gatishmëri

Situata e gripit/ Koçiu me drejtuesit e strukturave

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e strukturave shëndetësore sa i takon situatës me gripin.

Ajo theksoi se vaksinimi është mënyra më efikase, ndërsa shtoi se strukturat janë në gatishmëri.

“Nisur nga vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend, u mblodhëm sot me drejtuesit e strukturave shëndetësore, ku u përqendruam në raportimin mbi masat që po zbatohen për të përballuar situatën e gripit dhe për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Vaksinimi mbetet mënyra më efikase për të parandaluar komplikacionet nga gripi.

Strukturat shëndetësore janë në gatishmëri duke kryer: Monitorimin e situatës aktuale të gripit në vend; Vijimin e vaksinimit falas kundër gripit për grupet e rrezikuara; Ndërgjegjësimin e qytetarëve për ndjekjen e rekomandimeve për minimizimin e transmetimit dhe parandalimin e virozave të stinës;

Përforcimin e survejancës për infeksionet respiratore në mbrojtje të shëndetit publik. Parandalimi fillon me një veprim të thjeshtë: vaksinimin. Kujdesuni për shëndetin tuaj dhe të afërmve tuaj!”, shkruan Koçiu në Facebook.