AKTUALITET, 1 Qershor 2026, 15:16

Sinjale pozitive për ekonominë, rritet besimi i bizneseve dhe konsumatorëve

Sinjale pozitive për ekonominë, rritet besimi i bizneseve dhe

Ekonomia shqiptare vijon të japë sinjale pozitive edhe gjatë muajit maj 2026. Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit lehtë me 1.1%, i ndikuar nga përmirësimi i besimit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, si dhe nga rritja e besimit konsumator.

Sipas vrojtimit, treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve u rrit me 3.4 pikë përqindjeje në muajin maj. Kjo ecuri u ndikua pozitivisht nga vlerësimi i bizneseve për nivelin e kërkesës dhe ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre. Rritja lidhet edhe me pritshmëritë pozitive në sektorin e turizmit, teksa vendi ndodhet në prag të sezonit veror, gjatë të cilit pritet një fluks i lartë vizitorësh të huaj.

Në katër muajt e parë të këtij viti, numri i të huajve që vizituan Shqipërinë arriti në 2.6 milionë persona, me një rritje prej gati 5.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe në sektorin e ndërtimit vlerësimet u përmirësuan. Kjo ecuri u ndikua kryesisht nga pritshmëritë për aktivitetin aktual ndërtues, ndërsa vlerësimet për kontratat porositëse dhanë një kontribut të vogël negativ. Ndërkohë, pritjet për çmimet në të ardhmen shënuan rënie gjatë këtij muaji.