AKTUALITET, 1 Maj 2024, 19:58

Shqiptarët mund të pajisen edhe me letërnjoftim digjital

Shqiptarët mund të pajisen edhe me letërnjoftim digjital

Çdo qytetar shqiptar mund të pajiset edhe me letërnjoftim digjital. Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik disa ndryshime në ligj, në të cilat nënvizohet se kjo nuk do të thotë se humbet vlefshmëria e letërnjoftimit fizik aktual.

“Letërnjoftimi mund të jetë në formë elektronike ose digjitale. Në çdo rast, shtetasit mund të zgjedhin për t’u pajisur me një nga format e letërnjoftimit, ose mund të pajisen njëkohësisht me letërnjoftimin në të dy format, elektronike dhe digjitale”,- thotë Ministria e Brendshme.

Propozimi për kartë digjitale vjen si rezultat i përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, si dhe një lehtësim për qytetarët për bashkëpunim me biznese dhe institucione europiane.

“Miratimi i këtij projektligji do të përmbushë objektivat e qeverisë në drejtim të identitetit digjital, duke standardizuar identifikimin e qytetarëve në nivel evropian dhe implementuar një identitet digjital të përbashkët, i cili mund të lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin me institucionet dhe bizneset evropiane. Gjithashtu, një identitet digjital i përbashkët, gjithashtu, mund të ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe mashtrimeve”,- shprehet më tej MB.

Pajisja me letërnjoftim digjital bëhet me të njëjtat procedura që kryhen aktualisht për dokumentin fizik. Identiteti digjital, si një mjet që mundëson njohjen e një personi në ambientin digjital, përfshin informacione personale, si emrin, datën e lindjes, adresën, dhe të tjera të dhëna të rëndësishme, duke krijuar mundësinë e sigurimit të një përputhjeje të lartë të standardeve dhe sigurisë në të gjithë vendet anëtare.