AKTUALITET, 3 Korrik 2024, 08:46

Shqipëria në zi në nder të Ismail Kadaresë, sot mbahet ceremonia shtetërore për përcjelljen e fundit të kolosit të letërsisë shqipe

Shqipëria në zi në nder të Ismail Kadaresë, sot mbahet

Shqipëria është në zi kombëtare edhe sot, në nder të kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë dy ditë më parë.

Ditën e sotme do të mbahen homazhe publike dhe ceremoni shtetërore tek Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë, nga ora 9:00 deri ne orën 11:00.

Ceremonia shtetërore për nderimet dhe përcjelljen e fundit të personalitetit të shquar të letrave shqipe, Ismail Kadare:

09:00 – Homazhet publike në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit
Popullor

11:30 – Ceremonia shtetërore e Lamtumirës

12:30 – Nisja e kortezhit në drejtim të varrezave të Tufinës

13.00- çdo veprimtari do të ndërpritet dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të kolosit të letrave shqipe.

Këshilli i Ministrave miratoi dy ditë zie në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë sot në moshën 88-vjeçare. Edhe ditën e sotme flamujt në institucionet shtetërore dhe publike janë ulur në gjysmështizë.

Kolosi i letrave në gjuhën shqipe, Ismail Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.