AKTUALITET, 25 Janar 2025, 14:22

Shpërndante lëndë narkotike, arrestohet në flagrancë 27-vjeçari në Fier

Shpërndante lëndë narkotike, arrestohet në flagrancë

Një 27- vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia, pasi siguronte kanabis dhe kokainë duke i ndarë në doza në banesë për t’i shitur në qytetin e Divjakës.

Blutë kanë sekuestruar qese me  kokainë e kanabis në formë boçeje, dhe shuma parash.

Njoftimi:

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që siguronte,përgatiste dhe shpërndante lëndë narkotike në doza, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, finalizuan operacionin policor të koduar “Kontaktet”.

Gjatë operacionit, u kap në flagrancë, me doza kokaine dhe cannabisi, me vete, shtetasi L. H., 27 vjeç, banues në fshatin Bishtçukas.

Më tej, u krye kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku u gjetën sasi të tjera të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis, që ishin siguruar dhe ndarë në doza, me qëllim shitjen.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan  142 gramë Kokainë, 205 gramë Cannabis Sativa, dhjetra doza kokainë e kanabis, pajisje për përgatitjen e lëndëve narkotike në doza për shitje, shuma parash në valuta të ndryshme të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, 6 celularë dhe 1 automjet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.