AKTUALITET, 13 Qershor 2026, 11:24

Shpërndanin kokainë në rrugët e Tiranës/ Vihen në pranga katër persona, sekuestrohen droga dhe paratë

Shpërndanin kokainë në rrugët e Tiranës/ Vihen në

Katër persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike të llojit kokainë në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në kuadër të fazës së katërt të aksionit të koduar “Zonat”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për aktivitet të paligjshëm në shpërndarjen e drogës.

Në pranga u vunë shtetasit E.S., 45 vjeç, I.D., 54 vjeç dhe F.Gj., 48 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë në Rruga e Kavajës, me sasi të lëndës së dyshuar narkotike kokainë që e posedonin me qëllim shitjen.

Sipas hetimeve, këta tre shtetas dyshohet se bashkëpunonin me njëri-tjetrin për sigurimin e lëndës narkotike në sasi të mëdha, të cilën më pas e ndanin në doza dhe e shpërndanin në zona të ndryshme të Tiranë, kryesisht në zonat e njohura si “Ish-parku” dhe “Brryli”.

Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 350 gramë kokainë dhe dy peshore elektronike, të dyshuara si mjete të përdorura për ndarjen e dozave.

Gjithashtu u arrestua edhe shtetasi E.D., 32 vjeç, i cili dyshohet se shpërndante doza kokaine në disa zona të Tiranës. Gjatë kontrollit, në ambientet e subjektit ku punonte, policia sekuestroi një sasi lënde narkotike të ndarë në mbi 220 doza, si dhe një shumë parash të dyshuara si përfitim nga aktiviteti kriminal.

Në total, në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan mbi 400 gramë kokainë, e ndarë pjesërisht në doza gati për shitje, katër celularë dhe shuma parash.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.