AKTUALITET, 22 Mars 2026, 22:10

Shoqërohen 23 persona pas protestës së PD-së, nga molotovët u lënduan 6 punonjës policie

Shoqërohen 23 persona pas protestës së PD-së, nga

Të paktën 23 persona janë shoqëruar nga policia, pas protestës së PD, të mbajtur këtë të diel në Tiranë.

Protesta e opozitës zgjati rreth 2 orë. Kreu i PD Sali Berisha i shoqëruar nga deputetë të opozitës, mbështetës e qytetarë, marshuan në disa institucione kryesore, ndërsa ndaj Kryeministrisë u hodhën molotovë e fishekzjarrë. Policia u kundërpërgjigj duke hedhur gaz lotsjellës, spray e ujë me autobotë për të shpërndarë protestuesit.,

Ndërkohë sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjashtë efektivë morën lëndime dhe u transportuan te Trauma dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi 

Gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, i cili u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, u lënduan 6 punonjës policie.

Të dëmtuarit, përkatësisht efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT.


Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Shtetit, gjatë tubimit u bëri thirrje, nëpërmjet Qendrës së Zërit, pjesëmarrësve në tubim të mos ushtronin akte dhune dhe të mos sulmonin punonjësit e Policisë me bomba molotovë dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e pjesëmarrësve sulmuan punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit kishte marrë masa për ruajtjen e institucioneve, rendit dhe sigurisë publike dhe mbetet tërësisht e angazhuar, për të garantuar ushtrimin e së drejtës qytetare për të protestuar.

Njëkohësisht, dënon me forcë aktet e dhunës së përsëritur ndaj punonjësve të Policisë në krye të detyrës, si dhe ndaj institucioneve shtetërore.