AKTUALITET, 13 Janar 2025, 16:47

Shkupi ndërpret kontratën me Energoinvest, pezullohen punimet për linjën Shqipëri-Maqedoni e Veriut

Shkupi ndërpret kontratën me Energoinvest, pezullohen punimet për

Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike të Maqedonisë së Veriut (MEPSO) ka ndërprerë kontratën me kompaninë energjetike boshnjake Energoinvest për ndërtimin e një interkonjeksioni elektrik 400 kv nga Manastiri në kufirin me Shqipërinë.

Ndërprerja e kontratës është bërë shkak te mospërmbushjes se detyrimeve nga kontraktori dhe kërkesat për pagesa shtesë kanë sjellë ndërprerjen e kontratës. Kontrata me Energoinvest ishte rënë dakord më 7 shkurt 2020 dhe përfshinte një afat ndërtimi prej 30 muajsh.

“Afati ka skaduar më 30 maj 2023”, thuhet në komunikatën e MEPSO-së. Sipas qeverise se Maqedonisë së Veriut vendimi për ndërprerjen e kontratës vjen pas disa përpjekjeve të dështuara për të rinegociuar dhe arritur një marrëveshje me kompaninë energjetike. Në komunikatë thuhet se ndërprerja e kontratës në fakt paraqet “fillimin e përfundimit të projektit që është prioritet kryesor për MEPSO-n dhe Qeverinë”, duke theksuar se tashmë janë duke u zhvilluar përgatitjet për rifillimin e projektit.

“Do të inicohet një procedurë e re tenderimi në përputhje me udhëzimet e BERZH-it për zgjedhjen e një kontraktori të ri që do të rifillojë ndërtimin. Realizimi i suksesshëm i kësaj ndërlidhjeje mbetet prioritet për Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike të Maqedonisë së Veriut, sepse do të forconte stabilitetin dhe integrimin energjetik rajonal, me përfitime të konsiderueshme për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe rajonin në tërësi”, shtohet më tej.

Linja e interkonjeksioni, midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i shton kapacitetet shqiptare transmetuese me 1500 megavat/orë.