TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Më 7 qershor, Policia e Shkodrës ka vënë në pranga me vendim gjykate, drejtuesin e automjetit të përfshirë në aksidentin tragjik të ndodhur më 19 maj ku humbi jetën shtetasja Vera Guri, mamaja e katër fëmijëve.
Blutë e Shkodrës kanë arrestuar shoferin Izmir Bucaku, i cili fillimisht u procedua në gjendje të lirë në lidhje me ngjarjen e rëndë, ndërsa së fundmi është arrestuar.
Bucaku u procedua në gjendje të lirë, pasi referuar pamjeve filmike dhe veprimeve të para hetimore, dyshohej se viktima ishte ajo që kishte humbur kontrollin duke ecur në biçikletë dhe është përplasur më pas me automjetin.
Pas përplasjes së rëndë me makinën, e aksidentuara mori plagë të rënda në pjesën e kokës, çka çuan në vdekjen e saj.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi pranë zonës së ish-fabrikës së miellit, ku shtetasja Vera Guri, nënë e katër fëmijëve, e cila po kthehej nga puna me biçikletë, pësoi aksidentin dhe fillimisht ishte e plagosur rëndë.
Pas 10 ditëve që qëndroi në gjendje kritike në repartin e reanimacionit në spitalin e Shkodrës, më 29 maj të këtij viti, Guri ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Ngjarja vjen e bëhet akoma më tragjike pasi mësohet se, vetëm një vit më parë ajo kishte humbur bashkëshortin, duke lënë katër fëmijët “në qiell të hapur”, pa dy shtyllat kryesore të shtëpisë, pa mama dhe pa baba.