AKTUALITET, 3 Dhjetor 2024, 14:40

Sherr në një lokal në Korçë, oficeri ushtarak kërcënon me armën e shërbimit një person

Sherr në një lokal në Korçë, oficeri ushtarak

Dy persona, janë proceduar penalisht për një konflikt të ndodhur në një lokal në Korçë.

Sipas policisë, 33-vjeçari Elion File, me detyrë punonjës i Policisë Ushtarake, ka kanosur me armën e shërbimit një person për motive të dobëta. Ndërsa 34-vjeçari Mikel Ciko e kishte punësuar në mënyrë të paligjshme oficerin si punonjës sigurie në lokal. Arma e shërbimit e oficerit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

NJOFTIMI I POLICISE
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. C., 34 vjeç dhe E. F., 33 vjeç.

Procedimi penal për këta shtetas nisi pasi nga veprimet hetimore të kryera për një konflikt të ndodhur ditën e djeshme, në një lokal në Korçë, dyshohet se shtetasi E. F., 33 vjeç, me detyrë punonjës i Policisë Ushtarake, ka kanosur me armën e shërbimit, shtetasin V. B., për motive të dobëta, ndërsa shtetasi M. C., pronari i lokalit, e kishte punësuar në mënyrë të paligjshme shtetasin E. F., si punonjës sigurie në lokal. Arma e shërbimit e shtetasit E. F. u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.