AKTUALITET, 11 Shkurt 2026, 14:41

Sherr mes dy të rinjve në mes të bulevardit “Republika”, njëri prej tyre kërcënon me thikë! Çfarë ndodhi në Korçë

Sherr mes dy të rinjve në mes të bulevardit

Një konflikt ka ndodhur në mes të bulevardit “Republika” në Korçës midis dy të rinjve dhe për pak sa nuk përfundoi në përdorimin e armës.

Një 30-vjeçar me inicialet G.E., banues në fshatin Floq, për motive të dobëta u përplas me të riun K.K, 25 vjeç, banues në Dvoran. Gjatë sherrit, ai e ka kanosur 25-vjeçarin me një mjet prerës dhe madje i dëmtoi makinën.

Policia bëri me dije se i ka proceduar që të dy penalisht.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin G. E., 30 vjeç, banues në fshatin Floq, Korçë, pasi në bulevardin “Republika”, Korçë, është konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasin K. K., 25 vjeç, banues në fshatin Dvoran, Korçë, të cilin e ka kanosur me mjet prerës dhe i ka dëmtuar kabinën e automjetit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjatë konfliktit, bëhet me dije se “është penguar qarkullimi i mjeteve të tjera dhe është prishur qetësia publike”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës i dyshuar i përdorur nga 30-vjeçari, për kanosjen.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.