AKTUALITET, 16 Shkurt 2023, 22:00

Sejamini tregon konkluzionet e studimeve për krimin shqiptar: Nuk është mafie, por përzierje mes bandave dhe politikës! Ka rëndësi në botën e krimit ndërkombëtar

Sejamini tregon konkluzionet e studimeve për krimin shqiptar: Nuk
Neritan Sejamini

Analisti Neritan Sejamini deklaroi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se bazuar mbi studimet, krimi shqiptar është grup i rëndësishëm mes krimit ndërkombëtar dhe një lojtar i rëndësishëm. Sipas Sejaminit, krimi me origjinë nga Shqipëria nuk është mafie me hierarki, sepse janë grupe të vogla, por nga ana tjetër është përzierje mes krimit dhe politikës e cila e ka përdorur për qëllimet e veta.

“Ka studime dhe libra për krimin shqiptar. Kam arritur të përmbledh disa pika kryesore.

1. Krimi shqiptar është grup i rëndësishëm në botën e krimit ndërkombëtar. Është lojtar i rëndësishëm. Nuk është mafie me hierarki, janë grupe të vogla, por kanë koordinim të decentralizuar që është gjëja më e rrezikshme.

2. Trafiku i drogës është aktiviteti kryesor i krimit shqiptar. E dyta është trafiku i qenieve njerëzore.

3. Shqipëria është hallkë e rëndësishmë për të gjithë këtë aktivitet kriminal. Mund të jetë burim i drogës, kanabisit, shërben si strehë fiskale, etj. Pra, Shqipëria është një hallkë e rëndësishme. Nëse nuk do të ishte Shqipëria nuk do të kishin këtë fuqi.

4. Të ardhurat janë investuar kryesisht në Shqipëri, në pasuri të patundshme, në hotele, restorante, luks, makina, çanta, etj.

5. Ka filluar pastrimi i parave edhe në botë.

Shumë interesant është disertacioni i një studenti në SHBA, për krimin shqiptar. Ai ka disa konkluzione.

Krimi i organizuar është aktivitet ekonomik, veprojnë si sipërmarrje ekonomike.

E dyta, krimi shqiptar është përzierje mes krimit dhe politikës.

Krimi shqiptar filloi për shkak të bazës klanore të politikës. Politika kishte nevojë për njerëz lokalë për zgjedhje. Ishin keqbërës të vegjël. Politika i përdori.

Sot, krimi i organizuar shqiptar në botë ekziston për shkak të përzierjes me politikën.

E treta, Shqipëria nuk ka asnjë vullnet dhe prioritet për luftën ndaj krimit të organizuar.

E fundit, krimi që quhet transnacional, do të jetë shqetësim parësor për institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë perëndimore për dekadën e ardhshme”-tha Sejamini.