AKTUALITET, 14 Shkurt 2026, 15:07

“Secili me të vetat”, çiftet nisin të firmosin kontrata paramartesore për ndarjen e pasurisë pas martesës

“Secili me të vetat”, çiftet nisin të firmosin

“Bashkëshortët e ardhshëm, me vullnetin e tyre të lirë dhe të plotë, bien dakord dhe kërkojnë nga unë, noteri, hartimin e një kontrate martesore.”

Kjo deklaratë i përket një kontrate paramartesore, në të cilën çiftet e reja, përpara se të krijojnë familje, përcaktojnë qartë kufijtë e përgjegjësive dhe mënyrën e administrimit të buxhetit. Përpara se të bashkohen në altar dhe të celebrohen ligjërisht, dhjetëra çifte po firmosin gjithnjë e më shpesh një kontratë të tillë paramartesore, e cila depozitohet në gjendjen civile së bashku me dokumentacionin përkatës të bashkëshortëve të ardhshëm.

Ky marrëveshje për pasuritë synon të ruajë të ndara pasuritë e secilit, jo vetëm para martesës, por edhe gjatë saj. Në disa prej këtyre kontratave theksohet se çifti, përpara lidhjes së kurorës, firmos një marrëveshje sipas së cilës secili do të kontribuojë për jetesën e përbashkët.

Megjithatë, buxhetet mbeten të ndara, deri në atë pikë sa, nëse njëri prej tyre shlyen një borxh, detyrim apo gjobë të partnerit, ky i fundit është i detyruar ta kompensojë tjetrin me vlerën reale të shumës së paguar. Kjo dukuri po shfaqet në një klimë ku perceptimi publik është se po shtohen martesat me interes. Në kontratë, çifti merr përsipër të përballojë detyrimet e përbashkëta si ushqimi, veshmbathja, strehimi dhe edukimi i fëmijëve, duke parashikuar edhe situata të vështira kur njëri nga bashkëshortët mund të mbetet pa punë dhe pa të ardhura.

Një kontratë e tillë, e cila bëhet e detyrueshme pas marrjes së certifikatës së martesës nga të sapomartuarit, po adoptohet si risi edhe nga çifte të martuara prej vitesh. Megjithatë, ajo nuk ka fuqi në rast se martesa zgjidhet me divorc ose shpallet e pavlefshme.