AKTUALITET, 11 Shkurt 2026, 21:34

Salianji: Revolta u ndez nga skandali i bllokimit të drejtësisë ndaj Ballukut dhe AKSHI-t

Salianji: Revolta u ndez nga skandali i bllokimit të drejtësisë

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji foli në mbrëmjen e sotme mbi protestën e opozitës një ditë më parë në sheshin para Kryeministrisë dhe përballë parlamentit ku pati përplasje të ashpra me forcat e rendit.

Salianji kritikoi sjelljen jo proporcionale të policisë ndaj qytetarëve. Ndërkohë që shtoi se revolta e qytetarëve u ndez nga dy skandalet, Balluku dhe AKSHI, por ajo nuk duhet të sfumohet nga lidershipi i partisë.

Salianji: Çfarë ndodhi? Çfarë kërkojnë policët aty? Çfarë do të ndodhte nëse policët largoheshin? Çfarë po ndodhte me institucionin? Çfarë do të digjej? Le të kryejnë punën e tyre, por dhuna duhet të jetë proporcionale. Përgjegjësia bie te ministri dhe kryeministri që japin urdhër për dhunë të tepruar. Nuk mund t’i vendosësh policët përpara një turme dhe të mos jesh më i matur. Si mund t’i shkosh një deputeti të opozitës me shkopinj dhe spraj piper?

Çdo qytetar që proteston duhet të vlerësohet. A ka arsye për të protestuar? Janë miliona. Ka skandalin e bllokimit të drejtësisë për zv.kryeministren dhe skandalin me AKSHI. Po bëj ndarje: një revoltë legjitime e qytetarëve, dhe Rama është i rrënuar moralisht. Revolta e qytetarëve nuk duhet të minimizohet nga lidershipi i partisë.

Siç kam thënë edhe dje, duhet t’u jepet zë njerëzve që kanë zë real. Një protestues nga Rrjolli në Velipojë, një nga çunat e projektit TID në Durrës, një qytetar në Kamëz, një paciente – këto janë shembuj të korrupsionit të pastër: 50 milion euro në vit, apo një mjek që prodhonte 1000 receta në muaj.