AKTUALITET, 9 Prill 2024, 19:45

Salianji për vënien nën akuzë të drejtorit të IT në Policinë e Shtetit: Uroj të mos jetë truk për të penguar hetimin

Salianji për vënien nën akuzë të drejtorit të IT

Deputeti Ervin Salinaji ka reaguar pasi Prokuroria e Tiranës vuri zyrtarisht nën akuzë drejtorin e IT-së në Policinë e Shetit, Ervin Muçën, për ndërhyrje në sistemin TIMS.

Salianji shprehet se arrestimi i Muçës, është rezultat i parë i punës së Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS dhe se mohimi i i Edi Ramës për shqetësimin e ambasadës së ShBA për ndërhyrjen në sistemin, nxjerr zbuluar urdhëruesit e këtij akti.

Ndër të tjera, kryetari i Komisionit për nxjerrjen e të dhënave nga sistemi TIMS, uron që arrestimi mos jetë truk për të penguar hetimin e plotë dhe nxjerrjen para përgjegjësisë së urdhëruesve, shkelësve të ligjit dhë krimineleve përfitues nga ky akt.

Arrestimi i Drejtorit të IT në policinë e shtetit, dëshmitari i parë i listuar në planin paraprak të hetimeve të Komisionit Hetimor, Ervin Muça, është rezultat i parë i punës së Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS dhe konfirmim i denoncimeve të vazhdueshme të opozitës!

Mohimi i Edi Ramës për shqetësimin e ambasadës së ShBA për ndërhyrjen në sistemin TIMS, nxjerr zbuluar urdhëruesit e këtij akti!

Ndërhyrja ka qënë me urdhër dhe për qellime qartësisht kriminale!

Arrestimi i sotëm i vonuar nuk e shmang dot përballjen e Ervin Muçës dhe çdo shkelësi tjetër për tu përballur me drejtësinë por dhe me dëshminë në komision, për një akt që cënon në thelb sigurinë kombëtare! Ky është i pari, ne do ti shkojmë deri në fund hetimit parlamentar, për të hedhur dritë sidomos mbi urdheruesit e ketij krimi.

Uroj që arrestimi mos jetë truk për të penguar hetimin e plotë dhe nxjerrjen para përgjegjësisë së urdhëruesve, shkelësve të ligjit dhë krimineleve përfitues nga ky akt!

Njoftimi i Prokurorisë Tiranë:

Eksportoi bazën e të dhënave TIMS të Policisë së Shtetit, Prokuroria Tiranë kërkon ‘Arrest në shtëpi’ dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Drejtorin e IT

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237, 242 të Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Drejtoria e Pergjithshme e Policisë së Shtetit ka referuar materialin procedural regjistruar me nr. 9866, datë 01.09.2023 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, si dhe “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 192/b të Kodit Penal. Po kështu, me shkresën nr. 2482 prot, datë 08.08.2023 Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka përcjellë material hetimor, protokolluar me nr. 10898, datë 08.08.2023, për vlerësim dhe është regjistruar procedimi penal nr. 5404, datë 01.09.2023.

Në vijueshmëri të hetimit, shtetasi E. M. është marrë person nën hetim, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike”, parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal.

Në mënyrë të përmbledhur nga hetimi i procedimit penal rezulton se, në datën 02.08.2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, E.M. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.

Hetimi i këtij procedimi penal është shtrirë në pyetjen e tërë personazheve të përfshirë në ditën e ngjarjes, por njëkohësisht edhe në kryerjen e ekspertimeve përkatëse. Në vijim të procesit hetimor, janë kryer verifikime mbi vërtetimin e besueshmerisë së personit nën hetim E. M., në raport me pozicionin e tij Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin.

Personi nën hetim, sipas shkresës nr. 3041/1 prot, datë 08.01.2024 të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjes për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008 shtetasit E. M. i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari.

Nga hetimi procedimit penal ndërmjet të tjerash, rezulton se personi nën hetim është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e shtetit. Ligji për policinë e shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies. Personi nën hetim E. M. nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e DTI në policinë e shtetit.