AKTUALITET, 31 Mars 2024, 12:41

Salianji: Milionat e eurove shkojnë tek personat me rekorde kriminale! SPAK të hyjë tek njerëzit e fuqishëm dhe t’i nxjerrë para drejtësisë!

Salianji: Milionat e eurove shkojnë tek personat me rekorde kriminale! SPAK

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji nga Gjirokastra tha se kjo qeveri është e zhytur në zullume dhe se paratë e taksapaguesve shqiptarë shkojnë për personat me rekorde kriminale.

Salianji u shpreh drejtoritë dhe ministritë me buxhetin më të madh kanë dalë zbuluar para qytetarëve.

Ai solli shembullin e kryetarit të bashkisë Libohovë, të cilin SPAK e mori të pandehur për trafik droge.

“E keni parë që këto kohë drejtoritë dhe ministrat me buxhetin më të madh, qeveria dhe bashkitë kanë dalë zbuluar. Janë lakuriq në sytë e publikut si të zhytura në abuzime zhvatje të parave të taksapaguesve. Është rasti sot këtu ta diskutojmë sesi edhe një bashki që e morën dhunshëm në qarkun tuaj, bashkinë në Libohovë e patë si kryebashkiaku aktual ishte i përfshirë në trafik droge. Ishte kthyer në shkelës së ligjit dhe bashkëpunëtor të trafikantëve dhe sot drejton një komunitet. A është dita sot që në një situatë normale që qeveria, kryeministri, ministrja ti kërkojë ndjesë qytetarëve të Gjirokastrës. A jemi në të njëjtën situatë me kryebashkiakun e Tepelenës, analfabet funksional?

A jemi sot përpara fakteve ku aferat qindra miliona euroshe në shëndetësi, tek rrugët, tek inceneratorët, në bujqësi, ku fermerët duhet të merrnin para nga taksapaguesit evropiane përveç taksapaguesve shqiptare, të cilat kanë shkuar edhe ato tek personat me rekorde kriminale. Për këtë arsye janë bllokuar fondet e AZHBR-së, për shkak të hetimeve duke lënë fermerët dhe blegtorët pa ndihma, sepse paratë kërkon ti marrë vetëm qeveria”, u shpreh deputeti i PD.

Po ashtu, Salianji tha se inkurajon Prokurorinë e Posaçme që të mos rrijë në paradhomë, por të futet tek njerëzit e fuqishëm, aty ku siç tha ai qelbet peshku.

“Si ka mundësi që treçereku i bashkëpunëtorëve të Edi Ramës në bashki dhe qeveri janë sot përpara drejtësisë, ndërsa Rama dhe drejtuesit politik të tij jo. A mund të hanë ata dardha dhe kumbulla pa dijeninë e Ramës?

Ne kemi votuar konsensusin për drejtësinë e re. Ne kemi inkurajuar që të vijë dita që SPAK të mos ndalet tek dera e njerëzve të rëndësishëm të këtij vendi, por që ta hapë derën me shkelma dhe të hyjë tek njerëzit më të fuqishëm të këtij vendi, për ti nxjerrë përpara drejtësisë dhe jo për të gjetur çdo variant për të shmangur ata që janë përgjegjës për aferat në vend. SPAK të shkojë tek koka, aty ku qelbet edhe peshku në këtë vend”, tha Salianji.

Fjala e Salianjit

Nëse do të na duhet ta përshkruajmë situatën që po kalon vendi, do të na vinte në ndihmë patjetër patriarku i letrave, gjeniu i këtij qyteti, Ismail Kadare.

Ka ai një cilësim për mbrapshtitë, për zezonat. I quan disa dukuri, ose zhvillime, si të fundbotshme.

E fundbotshme është gjendja e korrupsionit në vend.

Kemi dy qendrat më të mëdha të pushtetit, dy instancat më vendimmarrëse, me buxhetin e krejt republikës, qeveria dhe bashkia e Tiranës, që kanë dalë zbuluar, lakuriq në sytë e publikut si të zhytura thellë në abuzim e zhvatje të parave të taksapaguesve më të varfër në rajon e në Europë.

Aferat qindramilionë euroshe në shëndetësi, tek inceneratorët, apo te rrugët, janë një çështje shumë serioze që i përkasin të gjithëve. Nuk janë punë të brendshme të një grupi njerëzish, aspak.

Edhe një blegtor në Lunxhëri, dhe një guidë në Qaze të Pazarit, një bar i vogël aty, një shitës në treg, një taksist në Antigone, të gjithë japin një kontribut për arkën e shtetit, për ekonominë, për buxhetin.

Zullumi, vjedhja, hajdutëria, rënia si ujku këtij buxheti, është futje dorë pikërisht tek secili prej jush, tek çdo shqiptar.

Në çdo përfitim, në çdo pasurim të padrejtë të një qeveritari, është një e drejtë e mohuar për të pasur më shumë rrugë, më shumë shkolla, më shumë kopshte, pensione e paga më të larta, ndihmë ekonomike më dinjitoze.

Paratë e vjedhura nga rilindja, janë para të munguara për shqiptarët.

Ndaluni për një moment, dhe numëroni pak.

Sa ministra, drejtorë, kryetarë bashkie të Edi Ramës janë kapur në krim, në shpërdorim, në përvetësim fondesh? Nuk i numëron dot, janë pafund.

Vetëm se këtu ka një moment të rendësishëm. Ne kemi votuar dhe kemi sjellë si Opozitë konsensusin më të madh ndonjëherë për drejtësinë e re, pikërisht që të vijë dita që SPAK të mos ndalet tek dera e dy njerëzve më të pushtetshëm në vend. Por të hapë derën e të hyjë aty, pikërisht atu ku është burimi i zullumit.

Provat tani kanë dalë sheshit. Kush është pra pengesa, na e thoni të nderuar zotërinj të SPAK.

Sot të dashur miq, është një ditë e veçantë. Mesazhi që vjen nga Pashkët Katolike është se njohja e të mirës dhe të keqes, e të drejtës dhe të gabuarës, e errësirës dhe dritës, bëhet më e lehtë. Zgjedhja është e qartë.

Nuk do të vonojë shumë dita kur shqiptarët do ta marrin këtë vendim. Do të kenë në dorë ti heqin vendit dhe vetes së tyre një barrë të madhe që e mbajnë në kurriz prej 11 vitesh.

Me largimin e Edi Ramës dhe të tijve, hapet rruga për një rend të ri politik e shoqëror. Çlirohet energjia e kyçur deri më sot. Hapen shanset që janë mbajtur deri tani të mbyllura.

Krijohen kushtet e shanset e barabarta. Bien kastat e korruptuara që janë të interesuara të ruajnë këtë statuskuo të privilegjeve.

Dhe i hapet dera edhe SPAK dhe drejtësisë së re, që të mos qendrojë në paradhomë, por të shkojë tek koka, aty ku qelbet peshku.

Kjo ditë nuk është as e largët, as e pamundur.

Sa më shumë afron, aq më shumë ja shton sfidat opozitës, ne demokratëve.

Bashkimi ynë ka krijuar një momentum, ka nxitur një frymë. Po këto sythe që të shpërthejnë, kërkojnë më shumë nga ne. Mbi të gjitha, cilësi e integritet. Duhet të bëjmë gjithçka, pa kompromis, me çdo sakrificë për të thyer skepticizmin shpesh të pashkak e të paarsyeshëm ndaj nesh. Gjithçka duhet të bëjmë për të fituar besimin.

Rama ka rënë, si sistem, si kulturë, si mekanizëm.

Ne duhet të ngrihemi në lartësinë që sjell jo vetëm rrotacion, por sidomos ndryshim. Ndryshimin që të gjithë duan, ndryshim që sjell një vend ku respektohen të drejtat e liritë, ku dinjiteti njerëzor është i çmuar e i barabartë si në bllok në Tiranë, si në Gjirokstër, ku rinia ecën para vrullshëm me ide e sipërmarrje që përkrahen e stimulohen nga shteti, ku universiteti zien nga kërkimet, ku biznesi nuk ka frikë nga taksidari, ku askush nuk duhet të ketë më frikë nga pushteti, përpos keqbërësve dhe kriminelëve.

Nuk është e pamundur të dashur miq. Kjo mund të ndodhë, dhe jam i bindur se do të ndodhë.