TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Edhe një herë ‘jo’ importit të mbetjeve në Shqipëri. Qeveria është tërhequr nga projektligji i parë i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, i cili mbeti vetëm në fazën e Konsultimit Publik. Gjatë diskutimeve neni 73 i projektligjit ku ishte parashikuar lejimi i importit të mbetjeve nga jashtë që janë pjesë e listës së Gjelbër të BE, është rrëzuar.
Në draftin e ri që pritet të depozitohet këtë muaj në Kuvend, në nenin 72 të tij thuhet se, “Ndalohet në të gjitha rastet importi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë. Ndalohet në të gjitha rastet kalimi tranzit ndërkufitar i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë”.
Ndërsa në draftin fillestar ishte parashikuar lejimi i importit të disa kategorive të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme, të cilat do të përdoreshin kryesisht si lëndë djegëse nga industria.
Kategoritë e mbetjeve që janë pjesë Listës se Gjelbër të BE, që nuk konsiderohen të rrezikshme, janë mbetje kartoni, letre, alumini, hekuri, mbetjet plastike, mbetje plumbi, mbetje zinku, mbetje industriale apo mbetje mjekësore. Lejimi i importit ka qenë kërkesë e industrisë prodhuese, pasi bëhet i mundur zëvendësimi i lëndëve që përdorin aktualisht si koksi i naftës dhe zhavorret bituminoze, me lëndë djegëse të përbëra nga mbetjet që në vend do të vijnë si produkt i kompostuar.
Një nismë e tillë është diskutuar edhe në vitin 2016, ku aso kohe deputeti i PS-së Eduard Shalsi, pati propozuar që të lejohet importi i mbetjeve, që bëjnë pjesë në ‘Listën e Gjelbër’, por që nuk u miratua. Importi i mbetjeve ka qenë i lejuar deri në vitin 2013, por që u ndalua menjëherë pas ardhjes në pushtet të socialistëve.