TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Parlamenti Evropian miratoi sot raportin për Shqipërinë, ku shpreh shqetësim për zhvillimet dhe ndërtimet në zonat e mbrojtura të vendit.
Në dokument, eurodeputetët i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të shfuqizojnë ndryshimet e miratuara në vitin 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, duke argumentuar se ato hapin rrugën për zhvillime në shkallë të gjerë brenda territoreve me vlera të veçanta natyrore dhe dobësojnë kuadrin e mbrojtjes së mjedisit. Gjithashtu kërkohet vendosja e një moratoriumi për dhënien e lejeve të reja të zhvillimit në zonat e mbrojtura, derisa të garantohet përputhshmëria e plotë me standardet evropiane të ruajtjes së natyrës dhe mbrojtjes së biodiversitetit.
“Një moratorium i menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura dhe të garantohet përputhja e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës.”
Ndërkohë, Parlamenti Europian ka rrëzuar amendamentin e paraqitur nga eurodeputetja italiane Ilaria Salis dhe disa anëtarë të grupit politik The Left, i cili synonte të përfshinte në rezolutën për Shqipërinë një referencë të drejtpërdrejtë ndaj projektit turistik në ishullin e Sazanit dhe zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Amendamenti i depozituar më 10 qershor 2026 në kuadër të raportit për Shqipërinë të hartuar nga eurodeputeti Andreas Schieder, kërkonte që, përveç kritikave ndaj ligjit shqiptar për Investimet Strategjike dhe ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, të shtohej edhe një paragraf i posaçëm për projektin e zhvillimit turistik në Sazan.
Në tekstin e amendamentit, eurodeputetët shprehnin shqetësim për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners, të lidhur me Jared Kushner, për zhvillimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës. Gjithashtu, amendamenti kërkonte mbështetje për hetimin e SPAK mbi këtë çështje dhe bënte thirrje për garantimin e së drejtës për protestë paqësore, duke iu referuar përplasjeve të ndodhura në fund të muajit maj 2026.
Megjithatë, propozimi nuk mori mbështetjen e shumicës së eurodeputetëve dhe u rrëzua gjatë procesit të votimit të amendamenteve.
Si pasojë, dokumenti i miratuar nga Parlamenti Europian nuk përmban asnjë referencë specifike ndaj projektit në Sazan apo protestave të zhvilluara në Zvërnec.
Raporti i miratuar ruan formulimin e përgjithshëm, ku shprehet keqardhje për zgjatjen e ligjit për Investimet Strategjike dhe kërkohet shfuqizimi i ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura, me argumentin se ato mundësojnë zhvillime turistike në shkallë të gjerë në zona të mbrojtura dhe dobësojnë mbikëqyrjen mjedisore.