AKTUALITET, 16 Prill 2026, 12:47

"Rrezikohet Korridori 8 dhe roli ynë strategjik"/ Karakaçi: Porti i ri në Porto Romano do të përballojë kërkesat e ekonomisë për dekadat e ardhshme

"Rrezikohet Korridori 8 dhe roli ynë strategjik"/

Në seancën e sotme plenare, më 16 prill, ministri për Energjinë dhe Infrastrukturën, Enea Karakaçi, zhvilloi një interpelancë të kërkuar nga deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri.

Gjatë fjalës së tij, ministri Karakaçi theksoi se porti i ri nuk është një projekt i ri në ide, por një investim strategjik që pasqyron ambicien e qeverisë shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Porti i ri detar i Integruar në Porto Romano nuk është një projekt i ri, por një projekt i cili pasqyron ambicien e qeverisë shqiptare për ta sjellë vendin në një nivel të zhvillimit ekonomik e strategjik.

Për dekada me radhë, porti i Durrësit ka mbajtur mbi supe përgjegjësi. Nuk ka sot asnjë port që të jetë në qendër të qytetit që të kryejë funksione industriale dhe sa i përket edhe të gjitha politikave të ndotjes mjedisore dhe të zgjerimit e zhvillimit të portit.

Porti i Durrësit e ka të pamundur të zgjerohet. Projekti i Porto Romanos është i mirëmenduar, nga ekspertë ndërkombëtarë, dhe i aftë të përballojë kërkesat e mëdha të ekonomisë të dekadave të ardhshme”, tha Karakaçi.

Karakaçi shtoi se porti do të funksionojë jo vetëm si pikë hyrje-dalje mallrash, por edhe si “qendër rajonale” logjistike me magazina dhe qendra shpërndarjeje, ku sipas tij do të operojnë kompani vendase dhe të huaja.

Ministri deklaroi gjithashtu se Shqipëria synon të mos jetë më një vend tranzit, por një “nyje kyçe” në rajon, duke përmendur edhe kërkesën drejtuar NATO-s për krijimin e një baze detare të integruar në port, çka sipas tij do ta kthente Porto Romanon në një aset strategjik.

Atyre çfarë u tha nga Kapri, Ministri Karakaçi iu përgjigj duke i cilësuar sfida normal kur bëhet fjalë për një projekt kaq madhor dhe komplekt si ky i ndërtimit të Porto Romanos. Ministri tha se kapaciteti i Porto Romanos është përllogaritur për të menaxhuar në fazën e parë 600 mijë kontejnerë duke shkuar në 1 milionë. Gjithashtu në port do të përfshihet dhe një bazë ushtarake e NATO-s. Sa i përket procedurës së tenderimit të dështuar pas operatorit të shpallur fitues, Karakaçi dha po të njëjtat shpjegime, se operatori është tërhequr për shkaqe ekonomike.

“Porti aktual është  pamundur të zgjerohet përtej kufijve ekzistues. Porti i ri është projekt i mirëmenduar, i hartuar me ekspertizë ndërkombëtare. Kapaciteti i portit është për të menaxhuar maksimumi 200 mijë kontejner, jemi në kufirin maksimal. Porti i ri ka kapacitet 600 mijë kontejner deri në 1 milionë kontejner.

Porto Romano është një ekosistem i tërë ekonomik. Një tjetër element thelbësor, ai i dimensionit të sigurisë është kërkesë  qeverisë kërkuar NATO që në këtë port të përfshihet dhe bazë ushtarake e NATO-s. Porti i Durrësit ka thellësi deri në 8 m. Porti i ri në fazën e  parë shkon në 13 m dhe më pas deri në 16 m.

Ministri as nuk e bën e as nuk e anulon tenderin. Ka pasur 2 procedura, në të fundit ka pasur 5 subjekte që kanë aplikuar, janë të gjitha kompani ndërkombëtare. Ka pasur një subjekt që është kaluar në fazën përmbyllëse, por me të drejtën e tij ai është tërhequr. Marina e Durrësit nuk e impakton operacionalitetin e portit të Durrësit”, tha ndër të tjera Karakaçi.

Kapri: Rrezikohet Korridori 8 dhe roli ynë strategjik! Dhoma Amerikane e Tregtisë ngriti alarm te kryeministri

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka zhvilluar një interpelancë me ministrin e Infrastrukturës, Enea Karakaçi, lidhur me ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano.

Gjatë fjalës së tij, Kapri theksoi rëndësinë strategjike të projektit, duke u shprehur se: “Korridori 8 është projekti më i rëndësishëm i shqiptarëve dhe porti i Durrësit përcakton nëse vendi do të jetë vend periferik apo nyjë strategjike e ekonomisë evropiane. Por nuk është vetëm ekonomi, por infrastrukturë kyçe për sigurinë e NATO-s.”

Ai nënvizoi se Perëndimi ka filluar të veprojë konkretisht, duke shtuar: “Janë siguruar fondet për ndërtimin e hekurudhës Durrës–Qafë Thanë me rreth 500 milionë euro financim.” Megjithatë, sipas tij, kjo vepër rrezikohet nga zhvillimet që lidhen me portin aktual dhe projektin e ri: “Por ndërtimi i kësaj vepre rrezikohet nga shkatërrimi i portit të Durrësit, qoftë me heqjen e portit aktual qoftë me portin e ri me kapacitet më të vogël. Këtu ka një problem.”

Kapri ngriti dyshime mbi mënyrën se si është menaxhuar projekti, duke deklaruar: “Si ka mundësi që po rrezikohet vepra më e madhe strategjike e shqiptarëve? U anulua tenderi për portin e ri pa dhënë llogari dhe pa mbajtur garancinë prej 8 milionë eurosh kompanisë që qëndroi në garë dhe u tërhoq më pas.” Ai shtoi gjithashtu se gjatë garës janë përjashtuar kompani të njohura ndërkombëtare dhe se “kjo çështje është në SPAK”.

Duke iu referuar një komunikimi zyrtar, Kapri bëri të ditur: “Në email ju ka ardhur juve, kryeministrit dhe drejtorit të portit një kërkesë nga një personalitet, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri.” Më tej ai citoi mesazhin: “Portet ndërtohen një herë në shekull dhe gabimet strategjike mund të ndikojnë fatin e një vendi. Nëse Porto Romano ndërtohet me shkallën e vogël strukturore, Korridori 8 do dështojë dhe flukset e mallrave do kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë të mënjanuar.”

Në vijim, deputeti vuri në dyshim deklaratat për ndërhyrje të huaja, duke pyetur: “Si ka mundësi që një forcë e huaj jo miqësore me vendin qenka kundër një porti më të vogël, sepse e kundërta do ishte e vërtetë. Një forcë jo miqësore do kërkonte që ne të kishim një port më të vogël.”

Në fund, Kapri drejtoi një sërë pyetjesh për ministrin Karakaçi: “Duam të dimë cilat janë këto forca të huaja që po sabotojnë portin e Durrësit? A ishin këto forca të huaja që zaptuan tenderin dhe përjashtuan kompanitë e mëdha perëndimore nga gara? Çfarë do ndodhë me portin aktual, rrezikojmë të mbetemi pa portin më të madh? A do hapni tender të ri? Projekti i ri a do jetë i njëjti, që është shumë herë më i vogël se porti aktual? Së fundmi, a keni ndërmend të fusni sërish duart në tender duke përjashtuar kompani me buxhete dhjetëra miliarda dollarë dhe të mbani kompani që janë regjistruar në off shore?”