AKTUALITET, 4 Shkurt 2025, 12:11

Rreth 100 ditë para zgjedhjeve, zbardhen detaje nga protesta kombëtare e 8 shkurtit: Fjalime dhe aksione në vijim të situatave të krijuara

Rreth 100 ditë para zgjedhjeve, zbardhen detaje nga protesta kombëtare

Më 8 shkurt Partia Demokratike do të organizojë protestë kombëtare para Kryeministrisë.

Gazetari Osman Stafa raporton se strukturat e PD janë plotësisht të angazhuara duke pasur në axhendën kryesore tubimin, i cili vjen rreth 100 ditë nga zgjedhjet e 11 majit.

Mësohet se në protestë do të mbahen fjalime, por se ato nuk do të jenë të shumta në numër, ndërsa nuk përjashtohet mundësia edhe e aksioneve të ndryshme.

Sa i përket arsyeve për organizimin e protestës,  ka nisur shpërndarja e broshurave, ku ndër arsyet që opozita të ngrihet kundër mazhorancës, janë renditur korrupsioni, inceneratori i Tiranës, Dosja “5D”, pagat e pensionet e ulëta dhe korrupsioni në tenderat publike.

Arsye tjetër është edhe intervista e dhënë nga ish zv. kryeministri Arben Ahmetaj nga arratia, që sipas kryedemorkatit Berisha vërtetoi ato që PD i ka thënë ndër vite.