AKTUALITET, 3 Prill 2024, 21:46

Rrëfimi i inxhinierit: Në Superfosfatin e Laçit, prodhohej edhe lënda e parë për floririn

Rrëfimi i inxhinierit: Në Superfosfatin e Laçit, prodhohej edhe

I shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 40 hektarësh, në vitin 1966 kompleksi industrial në Laç nisi për herë të parë prodhimin e superfosfatit.

Qyteza modeste u mbush me të rinj të sapodiplomuar dhe punëtorë nga 17 rrethe të vendit, duke u shndërruar në një nga qytetet më gumëzhitës të kohës.

Mark Lleshi, ka punuar rreth 40 vite si inxhinier në këtë kompleks. Ai ishte i pari që uli levën e prodhimit të këtij gjiganti industrial të Shqipërisë së para viteve 90-të.

“Në vitin 1966 ishin rreth 500 veta dhe më pas shkoi në 2300 të punësuar. Qyteti u rigjallërua. Unë mbaj mend që Laçi ishte fshat në kohën kur unë isha nxënës dhe më pas u shndërrua në një qytet të veçantë”, u shpreh inxhinieri, Mark Lleshi.

Me objekt kryesor prodhimin e plehrave fosfatike, ky kompleks nisi të përpunonte edhe lëndën e parë me të cilën furnizonte edhe fabrikën e bakrit e madje edhe nënprodukte për prodhimin e floririt.

“Prodhohej edhe flori, nuk di të them me saktësi se sa por prodhohej një sasi e konsiderueshme”, u shpreh Mark Lleshi, inxhinier.

Pas viteve 90-të superfosfati i Laçit u braktis dhe u shkatërrua. Justifikimi më i zakonshëm është ai i teknologjisë së vjetruar.

“Nuk është aspak e vërtetë. Unë kam vizituar 5 fabrika në Francë dhe vetëm njëra kishte teknologji më të avancuar. Superfosfati kishte teknologji që mund ti rezistonte kohës”, u shpreh inxhinier, Mark Lleshi./ Top Channel