TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Do të duhej të kishte nisur më 1 janar, por procesi i rivlerësimit të pronave ende nuk është hapur. Pas vonesave në dekretim nga Presidenti Bajram Begaj, ligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” mbetet i paplotë. Ministria e Financave duhet të hartojë dhe dorëzojë aktet nënligjore për të dhënë “dritën jeshile” për rivlerësimin me 5%.
“Janë vonesa të panevojshme që po shkaktojnë kaos dhe humbje. Institucionet kanë pasur të gjithë kohën e nevojshme,” u shpreh Reinaldo Pipiria.
Në pritje të futjes së projektligjit në kalendarët e komisioneve parlamentare, përfaqësues të tregut ankohen se tregtia e pronave, veçanërisht në Tiranë, ka ngecur. Sipas tyre, nëse kjo vijon, humbjet ekonomike do të jenë të konsiderueshme.
“Vonesa në trajtimin parlamentar të këtij propozimi, mungesa e konkretizimit të tij dhe paqartësia për të ardhmen kanë sjellë efekte shumë negative në bllokimin momental të tregut. Gjatë pesë viteve të fundit, ashtu si pjesa tjetër e tregjeve, Shqipëria ka qenë një treg i favorizuar për shitësit. Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, hendeku i pronave në shitje thellohet, ndërsa pronarët tërhiqen nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të situatës,” deklaroi ai.
Sipas aktorëve të tregut të pasurive të paluajtshme, fushata e rivlerësimit nuk pritet të ulë çmimet e apartamenteve.
“Qëllimi është të përmirësohet transparenca në treg, të stimulohet aktiviteti dhe oferta për blerësit e parë, si dhe të sigurohen të ardhura më të qëndrueshme për buxhetin e shtetit, pa ngadalësuar transaksionet apo krijuar informalitet,” shtoi Pipiria. Në 13 vitet e fundit janë kryer pesë rivlerësime pronash, me tarifa që kanë varuar nga 1% në vitin 2011 deri në 3% në dy rivlerësimet e fundit.