AKTUALITET, 9 Prill 2024, 15:46

Rishfaqet “kolla e mirë”, në urgjencën pediatrike të QSUT, 28 raste në 3 javë

Rishfaqet “kolla e mirë”, në urgjencën pediatrike

Një kollë e fortë dhe  agresive po ju zgjat më shumë se dy javë dhe mendoni se keni grip apo alergji? Mund të mos jetë asnjëra prej tyre ,  por sëmundja e kollës së mirë.  Mjekët thonë se është  rishfaqur  dhe po prek kryesisht fëmijët.  Vetëm në urgjencën e  pediatrisë në Qendrën Spitalore  “Nënë Tereza”  në Tiranë tre javët e fundit kanë kërkuar ndihmën e mjekëve 28 pacientë të vegjël. Aktualisht tetë janë të shtruar në spital.

Vaksina  për kollën e mirë është pjesë e kalendarit  të detyruar dhe nis  në muajin e dytë të jetës, kryhet në disa doza deri në  vitin e parë të shkollës së mesme.

Sëmundja është ngjitëse dhe përhapet përmes kontaktit  me personin e prekur nga kollitja apo teshtitja. Shenja më dalluese është  kolla me intensitet të lartë që zgjat në kohë. Sëmundja  mund të  çojë në pneumoni apo inflamacion të trurit. Por vaksinimi dhe trajtimi mbron nga  format e rënda  dhe humbja e jetës.