TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Edi Rama ka folur në mbledhjen e grupit parlamentar për Zvërnecin, pas protestave dhe kundërshtive masive nga qytetarët.
Rama pretendon se qytetarët janë manipuluar nga mediat, ndërkohë që u zotua se nuk do t'i tradhtojë kurrë. Kryeministri deklaroi se toka në Zvërnec është private dhe se shteti nuk ndërhyn në konfliktet e pronësisë.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se zona e Pishë-Poro është zonë e mbrojtur e kategorisë 5 dhe se aty lejohen ndërtimet.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Dua ta nis me një mesazh të drejtpërdrejt për ata që janë revoltuar dhe janë rreshtuar edhe kundër meje personalisht, pasi panë aktin e neveritshëm të tërheqjes zvarrë të njërit prej protestuesve në Zvërnec.
Ju kam dëgjuar, lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë. Madje, ju siguroj që në vendin tuaj edhe unë po njësoj do të revoltohesha dhe do të rreshtohesha kundër qeverisë dhe kundër kryeministrit sidomos. Do të më dukej e tmerrshme që disa roje private sigurie, në sytë e policisë së shtetit tim, pas një gardhi me tela me gjemba, të ulërinin si kafshë dhe të merrnin nga jashtë brenda, një njeri, në të drejtën e vet, ta tërhiqnin zvarrë nëpër plazhin e rrethuar e pastaj policia të thoshte që i zvarrituri u fut vetë në pronën private dhe ta relativizonte dhunën, ndërkohë që duhet ti kishte arrestuar në vend ata që morën zvarrë protestuesin.
Ju mirëkuptoj dhe duke patur parasysh se çfarë kam bërë kur isha në anën tjetër të barrikadës do të kisha bërë edhe më keq se ju, po të më thoshin se ajo tokë është e shtetit dhe shteti po ia fal të huajve. Madje kam vënë re se është përhapur gjithandej me shumë helm nga pas, edhe legjenda se shteti po ia fal Izraelit tokën për të sjellë palestinezët në Zvërnec. Po të më thoshin se janë futur ca rus që bashkë me oligarkët po rrafshojnë zonën e mbrojtur, do të ndërtojnë pallate...
Po të më thoshin se të huajt do të shkatërrojnë biodiversitetin e zonës. Po të më thoshin se në vend të flamingos dhe breshkave të ujit aty do të pastrohen paratë e mafias ndërkombëtare.
E kuptoj shumë mirë të tërë këtë dhe zemërimin tuaj, kam dy ditë që e pyes veten, a duhet t’ua tregoj një e nga një anën tjetër të kësaj medalje? Me probabilitetin shumë të lart që ju të mos besoni dhe të më nxirrni tradhtar, të korruptuar dhe të shitur te të huajt dhe oligarkët. Apo duhet t’ju them më falni, gabuam, nuk e gjykuam mirë këtë punë?
Këtë mision e mbaj ende përsipër edhe në emër të shumëkujt nga ju që më ka besuar votën dhe sot po më tregon me gisht si prurësin e një fatkeqësie kombëtare.
Ç’më duhet mua karrigia dhe pushteti, nëse duhet të heq dorë nga vizioni që kam ndarë me ju gjithë këto vite?
Për çfarë më duhen pushteti dhe karrigia? Që të qetësoheni ju dhe të vijoni jetën tuaj normalisht siç është e natyrshme dhe pasnesër në vend të atij investimi të jashtëzakonshëm, të bëhet copëtimi i rradhës? Golemi i rradhës. Ju do të rroni më shumë se unë dhe do të shikoni se aftësia dhe kurajo për ta rikthyer Shqipërinë te Golemi është e gjallë dhe e gatshme, po t’i bjerë prapë në dorë Shqipëria.
Si mund të jem unë kundër jush dhe kundër vetes? Dhe si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtje të mjedisit? Ka diçka këtu që nuk shkon? Apo u gjet tradhtatri, shitësi i atdheut, i korruptuari? Dhe ai është kryeministri juaj?
Thënë këto dhe ndjesë nëse jam shumë i drejtpërdrejtë dhe emocional, por kjo është ndjesia ime. Këto janë ditë të habitshme, për herë të parë më kanë bërë të mendoj që t’ju përulem thellë dhe t’ju kërkoj ndjesë për të ikur në katund.
Por kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë, t’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa ju dhe po ashtu siç e doni ju.
T’ju udhëheq për ta përmbyllur këtë që kemi nisur falë votës tuaj, me të cilën ia kemi ngritur kokën çdo shqiptari kudo që është.
Ky projekt është pjesë e kësaj përpjekje.
Zgjodha t’ju tregoj anën tjetër të medaljes edhe me rrezikun që të mos besoni dhe po aq hapur dhe sinqerisht, kur kam hyrë në atë zyrë kam thënë, që zyra është e imja, pushteti është i juaji. Nuk kam premtuar se nuk do të bëj gabime, as që nuk do bëjmë gabime, por kam premtuar se nuk do t’ju tradhtoj kurrë.
Është vendi për t’ju treguar si ju kanë manipuluar, si ju kanë tërhequr, duke shfrytëzuar atdhetarinë, dëshirën për të patur një vend të bukur, të mbrojtur, sovran dhe si ju kanë kthyer në pjesë të një kurthi që i ngrihet kësaj partie dhe mua personalisht prej ditës së parë. Ky është një kurth për të ardhmen e Shqipërisë.
Kam menduar këto ditë edhe për një film, që na idenfitikoi para botës, kur bota na dinte njerëz me bisht. Na dinin njerëz me bisht dhe u bëmë të njohur, ne shqiptarët, përmes filmit Ëalk the dog, rekrutohet një producet I famshëm i hollivudit dhe bashkë me regjisorin De Niro, fabrikojnë një luftë të trilluar të Amerikës me Shqipërinë. E fabrikojnë përmes mediave, duke përdorur teknika hollivudiane, pamje të rreme lajmesh, si ajo fotografia e gardhit të mallkuar me tela me gjemba me sinjalistikën kufiti Izrael-Shqipëri. Këngë patriotike, si plotë nga këngët që shoqërojnë videot përkatëse, heronj të sajuar dhe ngjarje të organizuara me shumë kujdes, krijon krizë të madhe dhe zhvendos vëmendjen që përfshihet emocionalisht në luftë me Shqipërinë dhe bëhet i gjithi i bashkuar për të shpëtuar një ushtar amerikan që ka mbetur në vijat ku janë armiqtë. Konflikti i fabrikuar e kthen opinionin publik aty ku e donin manipulatorët. Është film, më është kujtuar këto ditë.
Falë rrjeteve sociale, këto ndodhin në të gjithë vendet e botës.
Projekti ka nisur si interesim nga investitorët në vitin 2023, pra të tre viteve më parë. Ka nisur si interesim bashkë me Sazanin. Qëndrimi ynë ka qenë, Sazani është tokë publike, ka qenë një dëshirë dhe një ambicie e kahershme edhe e qeverive të tjera, për ta kthyer në destinacion turistik, jemi të gatshëm të punojmë me ju dhe kini parasysh që ajo tokë nuk shitet. Ne duam që shteti shqiptar të jetë palë, ortak. Qeveria e kryeministrit tuaj, që e keni votuar dhe që sot, duke iu bashkuar zemëratës e konsideroni shitës dhe të korruptuar. Shitësit dhe të korruptuarit, bënin Shqiptarinë një euro dhe merrin pjesën, nuk ia jepnin shtetit.
E kemi thënë, për projektin e Zvërnecit, duhet të shikoni pronat dhe pronarët pasi ne nuk kemi tokë shtet aty. Copëza që mund të jenë shtet, janë të papërfillshme për ambicien tuaj, kshuqë merruni me pronarët.
Ju e dini kush janë të interesuarit, se e di e gjithë bota. Bota mbarë flet për këtë projekt, për shkak të njeriut që e ka promovuar projektin, Jared Kushner, por bota ka hesape për të larë dhe ka luftrat e veta për të bërë, prandaj projekti ka patur qysh sapo ka dalë fjala interesimin e mediave amerikane dhe evropiane, por me agjendë, për të gjetur gjilpëra në kashtë.
Prandaj investitorët kanë angazhuar ekselencën botërore në arkitekturë, inxhinieri, mjedis dhe në aspektin juridik.
Ndërkohë që ne do t’jua tregoj hapat, kemi mbrojtur interesin tuaj, tim që është i juaji dhe të vendit, dhe kemi bërë detyrën jo thjesht procedurialisht por profesionalisht dhe patriotikisht.
Kam parë imazhe të projektit, pallate. Ku i keni gjetur? Projekti i vjetër është rrëzuar nga administrate shqiptare dhe u është kthyer mbrapsht, u është thënë ndjesë, por kemi kërkesa të larta dhe duam standard të larta, jo se ishte i keq por ne donim më shumë, për ju, jo për vete.
Toka është e regjistruar në hipotekë prej shumë e shumë vitesh. Negociatat dhe transaksionet me pronarët, janë cështje mes palëve që ne nuk kemi hyrë.
Ne jemi të fokusuar te Sazani, për të cilin nuk kanë përfunduar akoma negociatat, sepse ne duam pjesën e shtetit shqiptar dhe negociohet.
Rrethimi i pronës është bërë bazuar te leja e zhvillimit. Nuk është leje e ndërtimit. Rrethimi i pronës është e drejtë e çdo pronari kur merr leje zhvillimi. Nga ana tjetër, a ka pretendime pronësie mbi atë tërritor? Për herë të parë dëgjova dje, që aty paska një popullsi homogjene greke.