TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi ne rrjetin social “X” ka reaguar në lidhje me raportin e “Reporterët pa Kufij” të cilët e rendisnin Shqipërinë si të fundit nga vendet pretendente për anëtarësimin në BE në lidhje me lirinë e medias.
Rama shprehet se çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishme dhe falenderon “Reporterët pa Kufij” për raportin, që sipas tij është depërtues.
Ai shton se se Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence.
“Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot dhe dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre depërtues. Ne do ta analizojmë atë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët përkatëse dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve.
Ne jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim globalisht. Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence”, shkruan Rama.
Raporti:
Shqipëri, konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve pengojnë pavarësinë e medias
Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian.
Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta.
Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.
“Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre”.
Së bashku me Serbinë, Shqipëria përballet me rënien më të madhe në Indeks në shtetet e të Ballkanit Perëndimor.
Pavol Szalai, redaktor i Raportit të “Reporterëve pa Kufij” për BE-në dhe Ballkanin thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se krahasuar me standardet evropiane, gjendja për gazetarët në Shqipëri është jashtëzakonisht e vështirë. “Vitin e kaluar një punonjës i sigurisë u vra si pasojë e të shtënave ndaj godinës së televizionit ‘Top Channel’.
Në vlerësimin për Shqipërinë, kjo pasqyrohet në një tregues më të ulët të sigurisë. Por dhe 4 treguesit e tjerë të lirisë së shtypit kanë shënuar rënie – mjedisi ekonomik, mjedisi politik, kuadri ligjor dhe treguesi i jetës shoqërore”, shprehet ai.
Sipas zotit Szalai gjatë vitit të kaluar problemet e vazhdueshme të Shqipërisë janë thelluar. “Problemi më i madh është konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve të medias mbi pavarësinë editoriale.
Një tjetër problem është niveli i ulët i zhvillimit të qëndrueshëm afat-gjatë të medias në Shqipëri, që ndërlikohet më tej nga censura në median online, në rrjetet sociale, diçka e zakonshme atje dhe nga sulmet verbale politike kundër gazetarëve, të cilat bëhen nga të dyja palët, qeveria dhe opozita”, shprehet ai.
Sa i përket sigurisë së gazetarëve ai vë në dukje “problemin e krimit të organizuar, si dhe të fushatave online në media të caktuara, me shumë urrejtje dhe shpifje kundër gazetarëve”.
Sipas tij,”kjo nuk është diçka e re, por problemet në Shqipëri janë akoma më të mëdha, ndaj ajo renditet e fundit në rajon”.