AKTUALITET, 14 Prill 2026, 17:52

VIDEO/ Rëndohet situata, zjarri në pallatin te 'Farmacia 10' në Tiranë, njerëzit ende brenda mes flakëve! Ministri Lamallari në vendngjarje

VIDEO/ Rëndohet situata, zjarri në pallatin te 'Farmacia 10'

Rëndohet situata në kompleksin e banimit në zonën e farmacisë nr.10, pranë QSUT-së në Tiranë e cila është përfshirë nga një zjarr masiv pasditen e sotme

Një pallat është përfshirë nga flakët pasditen e së martës në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur te Farmacia nr.10, përballë spitalit “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Raportohet se në terren ka zbarkuar edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, për të vëzhguar nga afër situatën.

Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, apo nëse ka dëme në njerëz apo dëme materiale. Por nga pamjet duket se në zonë është shkaktuar një kaos i vërtetë, me qytetarë që vrapojnë për t'u larguar nga zona. Po ashtu raportohet se brenda pallatit ka ende njerëz.

Banorët, të gjendur në panik, janë konfliktuar me forcat e rendit të cilët kanë vendosur perimetrin e sigurisë duke mos lejuar askënd t’i afrohet kompleksit.

Flakët vijojnë të jenë të mëdha dhe rreziku i përhapjes së tyre është i madh duke rrezikuar dhe pallatet e tjera.

Policia dhe forcat Zjarrëfikëse kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.