AKTUALITET, 19 Dhjetor 2025, 13:07

Rama: Një pjesë në polici s’do e donte "Smart City”. Makina e policisë nuk mund të përdoret për punë personale, s’ka ndalim para restorantit as drekë me uniforma

Rama: Një pjesë në polici s’do e donte "Smart

Kryeministri Edi Rama ishte kritik teksa tha se shumë prej atyre në Policinë e Shtetit nuk do ta donin projektin “Smart City”, monitorimin e vendit me kamera inteligjente.

“Natyrisht kjo është sfidë menaxhimi, unë e kam kuptuar mirë edhe mesazhin e një pjese të atyre që duan ta kishin çuar përpara këtë projekt ka humbur kohën që kemi humbur se është normale që një pjesë në polici të mos e dojë këtë projekt se do të bëjë të mundur që shumë nga ato gjëra që sot e gjithë ditën janë shqetësim për drejtuesit e policisë, për ne e qytetarët, të bëhen të pamundura.”, tha Rama.

Sipas tij, do të jetë e pamundur që një makinë policie të përdoret për arsye personale apo të parkohet para një restoranti.

“Do të jetë e pamundur që një makinë policie të përdoret për punë personale, të gjitha do të jenë para syve të drejtuesve, që një makinë policie të parkohet te shtëpia. Po flas për gjërat më të thjeshta, që një makinë të ndalojë përpara restorantit dhe punonjësit të hyjnë të hanë drekë me uniformë në restorant.

Ata që bëjnë çmos që ta shtyjnë këtë projekt e kuptojnë më mirë se unë se dinë më tepër sesa hile e poshtërsi mund të bëhen duke njollosur policinë e shtetit. Ky projekt ndihmon policët e ndershëm”, theksoi Rama.