AKTUALITET, 3 Prill 2024, 11:17

Rama refuzoi Interpelancën/ Bardhi debat me Nikollën: Nuk ka tagër kreu i Qeverisë të mos pranojë! Kjo është shkelje e hapur kushtetuese!

Rama refuzoi Interpelancën/ Bardhi debat me Nikollën: Nuk ka

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi është përplasur me kryeparlamentaren Lindita Nikolla gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, pasi kryeministri Edi Rama refuzoi interpelancën urgjente të kërkuar prej tij.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, Gazment Bardhi ka kërkuar që Lindita Nikolla të përfshijë në rendin e ditën interpelancën me kreun e qeverisë Edi Rama, duke u shprehur se kryeministri s’ka tagër ligjor dhe kushtetues të vendosë.

Ai theksoi se kjo është shkelje e hapur e Kushtetutës, duke shtuar se nuk jemi Republikë e Kryeministrit. Ndërsa Lindita Nikolla iu është përgjigjur se interpelanca nuk zhvillohet për çështje personale.

Debati:

Gazment Bardhi: Kushtetuta dhe rregullorja të detyron të përfshish në rendin e ditës interpelancën me Kryeministrin. Sot jam njoftuar publikisht nga Kryeministri, për refuzimin e interpelancës. E ke i shndërruar Republikën Parlamentare në Republikë të Kryeministrit. Nuk ka tagër ligjor dhe kushtetues që kryeministri te vendos arsyet dhe temat e thirrjes në interpelancë ashtu siç nuk ka tagër të refuzojë. Kjo është shkelje e hapur kushtetuese.

Lindia Nikolla: Interpelanca nuk parashikohet të zhvillohet për çështje personale.

Gazment Bardhi: Çështjet që kam ngritur ndaj Kryeministrit, nuk janë çështje personale. Nuk kam interes se si shkon ai me vëllain e tij apo pse e ka vënë në mbrojtje nga Garda dhe nga kush kërcënohet vëllai për t’u mbrojtur nga oficerët e gardës.

Kryeministri Edi Rama në një postim në X deklaroi refuzimin e interpelancës urgjente të kërkuar nga Gazment Bardhi, pas akuzave të këtij të fundit ndaj Olsi Ramës, vëllait të kreut të qeverisë, për lidhje me grupin kriminal të trafikut të drogës në Xibrakë.

Kreu i qeverisë i ka konsideruar fabrikime dhe fantazi të një deputeti, akuzat e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së.

“Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit, zv.kryeministrit ose të çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qëndrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur”, tha në një reagim në X, kryeministri Rama.

Edi Rama shkroi se Gazment Bardhi duhet të presë me durim derisa SPAK “të na ndriçojë lidhur me vërtetësinë e zbulimit prej tij të trafikantit të paidentifikuar”.

Kreu i qeverisë, teksa argumenton arsyet e refuzimit të kërkesës për interpelancë të kreut të Grupit të PD, thekson se të treja pyetjet që ai i drejton nuk kanë lidhje me asnjë realitet faktik.

“Ato burojnë thjesht nga hipoteza haluçinante mbi të cilën ngrihet zbulimi i tij, për të cilin ai edhe është kallëzuar menjëherë në SPAK nga vëllai im “trafikant””, shkruan Rama.