TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e tij në ditën e dytë të Samitit të Diasporës në Tiranë, ku foli për disa nga sfidat kryesore dhe lidhjes së faktorit shqiptar kudo që ndodhet për ta bërë kombin më të fortë dhe për ta çuar Shqipërinë drejt BE-së dhe uljes në tryezën e familjes evropiane.
Duke iu referuar amaneteve të paraardhësve dhe figurave kombëtare si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali, Fan Noli apo Faik Konica, ai tha se në këtë rrugë të vështirë dhe të përpjetë ka sfida dhe vuajtje në kurrizin e shqiptarëve, por që kombi dhe suksesi nuk vijnë përmes rehatisë.
“Ajo që Ismail Qemali tha në momentin themelues të shtetit tonë: Shqipëria do të bëhet! Ajo ishte një besim që sot si kurrë ndonjëherë ka marrë trajtën e shtetbërjes së Shqipëri dhe që tani preket me sy dhe shihet më afër se kurrë, për ta ulur Shqipërinë në familjen evropiane si të barabartë mes të barabartëve. Fan Noli na kujtonte dikur se Shqipëria nuk mund të bëhet pa qytetarët shqiptarë, dhe sot kur Shqipëria ndodhet në derën e Evropës kjo fjalë merr peshë të jashtëzakonshme, ashtu sikurse edhe fjala e korifeut tjetër Faik Konica. Këtu qëndron ndryshimi i kësaj dekade ku falë reformave, kemi kaluar nga një Shqipëri që përpiqej të mbijetonte, në një që përpiqet të përmirësohet, nga një Shqipëri e mosbesimit të përgjithshëm te ajo që besohet dhe nderohet”, tha kreu i ekzekutivit.
Rama foli edhe për sakrificat që duhet të bëjë vendi për të arritur objektivin e tij të integrimit, duke sjellë për analogji vuajtjet e emigrantëve shqiptarë që morën rrugën e migrimit dekada më parë.
“Shqipëria ndryshon ndonjëherë ngadalë dhe ndonjëherë më shpejt se çfarë e kemi pritur ne por në mënyrë të pandalshme. Shqipëria në BE është një zgjedhje rrugëtimi, që shumë prej jush e kanë zgjedhur për të rrënjosur vlerat që njohim këtu, në Shqipëri. Ju e dini se çfarë do të thotë të jetosh në një sistem që funksionon, ku sundimi i ligjit nuk është fjalë por mënyrë të jetuari. Kjo rrugë nuk është pa sfida, çfarë hoqët ju në kurriz është mësim i paharrueshëm që vlen për atë që Shqipëria ka hequr dhe do heq në kurriz deri në fund kur Shqipëria të ulet në familjen evropiane”, vijoi kryeministri.
Duke iu referuar vështirësive dhe sfidave, Rama pranoi se do të kishte edhe zhgënjime, por shtoi se kjo nuk është ëndërr dhe rruga sot është më e dukshme dhe e hapur dhe BE më e prekshme se kurrë.
“Do t’i heqim të tëra në kurriz, do ketë edhe zhgënjime, do ketë momente kur do duket sikur asgjë s’ia vlen dhe progresi do duket i ngadalësuar, por asnjë rrugë suksesi nuk ndërtohet përmes rehatisë dhe as kombet nuk ndërtohen nëpërmjet rehatisë. E bukura sot është ajo që Shqipëria nuk është ëndërr e largët, por rrugë e hapur, e dukshme dhe e prekshme mundësish për të gjithë”, tha ai.
Kreu i qeverisë iu referua edhe vendimit që ka marrë për Paketën e Maleve, duke ftuar të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit që të investojnë në trashëgimitë e të parëve të tyre. Ai theksoi se Bota dhe Evropa e shohin sot e kësaj dite Shqipërinë me respekt dhe nderim.
“Sot zgjodha të sjell një gjest, akt, vendim të qeverisë shqiptare, që ka në brendësinë e saj një simbolikë, paketën e Maleve për të gjithë ata që kanë lënë tokën e tyre në mal për të kërkuar një mundësi më të mirë jashtë vendit. Malet kanë qenë gjithnjë për shqiptarë për t’u mbrojtur dhe për t’u fshehur nga ata që donin t’i merrnin rob për t’i asimiluar, por sot ka ardhur dita që malet janë si burime të mirëqenies. Sot kemi gjëra që s’i kishim më parë, Shqipërinë e parë nga Bota dhe shqiptarët për Shqipërinë. Kemi shqiptarët e botës që tani e shohin se Shqipëria nuk është më e bukur edhe tërheqëse vetëm për ta, por edhe për ata rrotull qyteteve ku ata jetojnë. Ndaj i them shqiptarëve që kanë një copë tokë në mal apo kodër, që kanë shtëpi të braktisur të gjyshit a stërgjyshit, që ta marrin në dorë paketën e maleve dhe ta kthejnë atë tokë e shtëpi në burim fitimi. Shqipëria e 12 milionë turistëve është në gjendje të bëjë për ta, që nga ai burim mirëqenie ata të fitojnë më shumë çdo muaj sesa fitojnë për ata ku punojnë jashtë vendit”, vijoi kryeministri.
Dhe teksa iu referua të gjithë diasporës, ai foli për lidhjen e ngushtë me shqiptarët që jetojnë në vendet fqinje, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi, por edhe ata që jetojnë e punojnë anekënd botës.
Ai falënderoi edhe përfaqësuesit dhe zyrtarët shqiptarë të këtyre shteteve që ishin prezent në Samit.
“Sot nuk kanë vetëm çfarë të bëjnë për Shqipërinë, por edhe se çfarë të fitojnë me Shqipërinë. Po ushqejmë sot marrëdhënien tonë për të ushqyer sa më mirë Shqipërinë, nga ndjenjat në strategji. E ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë, por edhe në Romë, Athinë, Londër, Berlin, Zyrih dhe kudo. Por edhe kudo ku shqiptarët jetojnë, rreth e rrotull Shqipërisë, duke filluar nga shteti tjetër i pavarur shqiptar, Kosova, e pastaj duke vazhduar me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që s’duhet ta harrojë askush se janë një popull shtetformues i Maqedonisë fqinje dhe mike të Shqipërisë dhe shqiptarët e Malit të Zi. Falenderoj këtu miqtë e mi, Glauk Konjufcën, Afrin Gashin, Ali Ahmeti dhe Dritan Abazin që janë prezent këtu”, tha Rama.
Dhe duke apeluar për një lidhje edhe më të ngushtë jo vetëm emocionale dhe patriotike, por edhe aktive, ai i ftoi që të plotësojnë amanetin e të parëve, për ta parë Shqipërinë pjesë e BE-së.
“Të rilidhemi jo vetëm emocionalisht, por edhe në mënyrë aktive. Jo vetëm i vend që diaspora e la pas, por edhe vend që po bëhet shtet evropian, si për shqiptarët brenda ashtu edhe ata jashtë. Një ftesë për të qenë pjesë e këtij projekti kombëtar që është më i madh se çdo cikël politik, se është një amanet i madh se amaneti i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që e kërkon Shqipërinë pjesë e tryezës së familjes së madhe Evropiane, pjesë e BE-së, ku ne po bëhemi gati të jemi pjesë e pandarë. Një popull dhe një komb nuk është Shqipëria, por bartësi i amanetit për ta çuar atë para dhe për të mos harruar kurrë borxhin e atyre në të shkuarën që dhanë për ne që sot të jemi e të ndjemi krenarë. Rroftë Shqipëria, rroftë Kosova, rrofshin shqiptarët kudo që janë”, përfundoi kryeministri.