AKTUALITET, 30 Maj 2026, 13:41

Rama në Lezhë: Reforma në Drejtësi, dallimi kryesor mes PS-së dhe kundërshtarëve

Rama në Lezhë: Reforma në Drejtësi, dallimi kryesor mes

Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri, Edi Rama, tha sot se historia e Partisë Socialiste në qeverisje është e lidhur me refuzimin e hakmarrjes politike dhe me ndërtimin e një drejtësie të pavarur, duke e cilësuar Reformën në Drejtësi si dallimin më të madh mes socialistëve dhe kundërshtarëve të tyre politikë.

Në takimin e organizuar në Lezhë me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, Rama kujtoi rrethanat në të cilat socialistët morën drejtimin e vendit pas krizës së vitit 1997.

“Partia Socialiste kur erdhi në qeveri dhe si erdhi në qeveri? Erdhi në qeveri mbi gërmadat e një Shqipërie të shkatërruar totalisht, pasi u kthye në një vend piramidash, nën rrënojat e të cilave u varrosën të gjitha kursimet e shqiptarëve. Erdhi në qeveri në ditën kur kryetari i vet doli nga burgu”, tha Rama.

Sipas tij, pavarësisht kësaj historie dhe revoltës që mund të ekzistonte mes socialistëve, Partia Socialiste nuk përdori pushtetin për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve.

“Nuk thirri kurrë për hakmarrje. Nuk përdori kurrë pushtetin e Partisë Socialiste për të paguar mbrapsht me të njëjtën monedhë ata që e futën në burg. Edhe pse socialistët shpeshherë me të drejtë kanë pasur revoltë për faktin që ata që duhet të ishin përpara drejtësisë vazhduan të jenë në kurriz të Shqipërisë, ne kurrë nuk e kemi kërkuar drejtësinë tek e drejta që kemi me vete”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se socialistët zgjodhën rrugën e ndërtimit të institucioneve demokratike dhe të një drejtësie të pavarur sipas standardeve europiane.

“Ne e kemi kërkuar drejtësinë tek rruga e ndërtimit të një Shqipërie europiane demokratike, e cila nuk mund të jetë e tillë nëse drejtësia nuk është e pavarur dhe nëse pushteti politik nuk ndahet nga pushteti i drejtësisë”, deklaroi Rama.

Kryeministri e cilësoi Reformën në Drejtësi si shembullin më domethënës të kësaj filozofie politike.

“Reforma në Drejtësi është kulmi i të gjithë shembujve që e dallojnë Partinë Socialiste nga të gjithë të tjerët që flasin për drejtësi, mbajnë leksione për drejtësi dhe na sulmojnë ne në emër të drejtësisë”, tha ai.

Sipas Ramës, pa këtë Reformë Shqipëria do të vazhdonte të mbetej një vend ku njerëzit e pushtetshëm nuk përballeshin me ligjin.

“Po të ishte për ta, Shqipëria do të ishte edhe sot siç ka qenë për dekada, pa asnjë mundësi për të parë barazi para ligjit për të gjithë dhe pa asnjë mundësi për të parë një njeri të pushtetshëm, e aq më pak një njeri të lidhur me pushtetin politik, përpara një prokurori të pavarur dhe një gjykate të pavarur”, tha Rama.

Ai hodhi poshtë akuzat e opozitës se hetimet ndaj zyrtarëve lidhen me rritjen e korrupsionit, duke argumentuar se ato janë pasojë e funksionimit të institucioneve të reja të drejtësisë.

“Këto ndodhin sot jo sepse ne jemi të korruptuar apo më të korruptuar, por sepse ne jemi të vendosur ta luftojmë korrupsionin. Në këtë luftë jemi kaq të vendosur sa kemi qenë të gatshëm të marrim përsipër edhe koston e këtij revolucioni, duke ia lënë shpatën e drejtësisë njerëzve të drejtësisë, të cilët nuk kanë asnjë frikë dhe asnjë lidhje me ne”, deklaroi Rama.

Rama shtoi se krijimi i një drejtësie të pavarur nuk ishte një proces i zakonshëm dhe se vendi ka ende nevojë për drejtimin e socialistëve për të çuar përpara transformimin e nisur.

“Shqipëria ka nevojë për udhëheqjen e Partisë Socialiste, për shumicën e Partisë Socialiste dhe për socialistët në krye, pavarësisht të metave dhe gabimeve tona. Nuk kemi zbritur nga qielli, kemi bërë gabime, por kur vjen puna te pamja e madhe, ajo flet vetë për ne, për raportin me interesin kombëtar, me historinë, me shoqërinë dhe me botën”, tha Rama.