AKTUALITET, 8 Korrik 2022, 15:24

Rama dërgoi gazetarin për "riedukim"/ Balla: Edhe Donald Trump ia hiqte fjalën gazetarit të CNN... Kam studiuar modelin e demokracisë amerikane

Rama dërgoi gazetarin për "riedukim"/ Balla: Edhe Donald

Taulant Balla thotë se përjashtimi i gazetarit Klevi Muka nga konferencat e shtypit të Ramës, me argumentin se duhet të "riedukohet", nuk është sulm ndaj lirisë së mediave, sepse sipas Ballës, në Shqipëri ka liri dhe diversitet të madh. 

Kreu i grupit parlamentar socialist, bëri edhe një paralele me SHBA-të, duke thënë se edhe Donald Trumpi dikur ia hiqte fjalën gazetarit të CNN gjatë konferencave për shtyp. 

Më tej Balla sqaroi për popullin, se ai ka studiuar modelin e demokracisë amerikane. 

“T’ju them të drejtën në Shqipëri ka liri mediash. Sepse fakti që kemi një diversitet kaq të madh nëse do t’i krahasonim sa outletesh mediatike kemi në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera, kemi më shumë. Të gjitha këto rekomandime të shihen në kuadër më të gjerë dhe rajonal. Ka ndodhur nga koha kur Donald Trump i kërkonte heqjen e fjalës së një gazetari të CNN në konferencë për shtyp. Të gjithë biem dakord që SHBA janë modeli më i mirë i lirisë së medias dhe demokracisë.

Unë kam studiuar modelin e demokracisë amerikane. Natyrshëm që fakti që ju ngrini, nuk ka të bëjë aspak me lirinë e medias. Është çështje e komunikimit, kur mblidhemi të diskutojmë një çështje të rëndësishme. Rasti i asaj dite ishte një gjë e madhe, një bazë ushtarake e NATO-s në Shqipëri. Dhe nga kjo kalojnë në një çështje tjetër. Ju jeni ekspertë të kësaj fushe, nuk dua të hyjë në detyrën tuaj. Komunikimi publik është një detyrim” – tha Balla.