AKTUALITET, 13 Qershor 2026, 13:09

Rama: Bajpasi i Shëngjinit, investim kyç për turizmin në veri

Rama: Bajpasi i Shëngjinit, investim kyç për turizmin në

Bajpasi i Shëngjinit vlerësohet si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në funksion të zhvillimit të turizmit në veri të vendit, duke synuar lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e aksesit drejt zonave turistike bregdetare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga kantieri i punës, teksa bëri të ditur sot se ky aks i ri rrugor do të shmangë trafikun në qendër të Shëngjinit, duke përmirësuar ndjeshëm lëvizjen e automjeteve gjatë sezonit veror. Ai do të krijojë gjithashtu një lidhje më të shpejtë mes Shëngjinit, Ranës së Hedhun dhe më tej me Velipojën.

I ndërtuar përgjatë shpatit të malit të Rrencit, bajpasi do të shërbejë jo vetëm si infrastrukturë transporti, por edhe si një segment panoramik që pritet të rrisë atraktivitetin turistik të zonës.

Segmenti rrugor ka një gjatësi prej 8,1 kilometrash dhe financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Punimet po kryhen njëkohësisht në të dy kahet e trasesë së rrugës, ndërsa projekti do të lidhet edhe me aksin e ri Shëngjin-Velipojë.

Sipas planit të punimeve, përfundimi i këtij bajpasi parashikohet në shkurt të vitit 2027.

Orientimi i investimeve publike drejt zonave me potencial turistik mbetet në fokus të politikave zhvillimore, me synim përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e aksesit në destinacionet turistike të vendit.