AKTUALITET, 16 Dhjetor 2025, 11:18

Punonjësit e “Bankers” në protestë, deputeti i PD: Kinezët po i gënjejnë për pagat, po bëhen gati të ikin fshehurazi (VIDEO)

Punonjësit e “Bankers” në protestë, deputeti i PD:

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi ka ndarë një video të punonjësve të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier që protestojnë dhe kërkojnë pagat e tyre.

Krahas videos në rrjete sociale, deputeti shprehet se kinezët po i gënjejnë për pagat ndërkohë që shfrytëzuesit e pasurisë kombëtare po bëhen gati për të ikur fshehurazi pas problemeve që kanë pasur kohët e fundit me drejtësinë.

Ai kërkon reagimin e menjëhershëm të institucioneve përkatëse dhe ndërhyrjen e tyre për të garantuar që punonjësit të marrin pagat dhe detyrimet e tyre.

“Kinezët, pasardhësit e kanadezëve po i gënjejnë për pagat. Muaji nëntor është i papaguar për gjithë nënkontraktorët e fushës në Marinëz dhe këta vazhdojnë të gënjejnë ndërkohë që fusha është në kapacitet të plotë, depot e rezervave nuk mbajnë më. Fusha ndalet e gjitha, dhe ndërkohë shfrytëzuesit dhe hajdutët e pasurisë së vendit tonë po bëhen gati për të ikur fshehurazi”, ka shkruar mes të tjerash ai.

Më herët, Bankers Petroleum deklaroi se me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave i është bllokuar aktiviteti prodhues dhe financiar i kompanisë në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës.

Sipas kompanisë, Dogana ka ndërprerë operacionet duke pretenduar mos-pagesën e akcizës për holluesin e naftës, një produkt për të cilin, sipas legjislacionit shqiptar dhe direktivave të BE-së në fuqi që prej vitit 2012, nuk duhet paguar akcizë pasi nuk konsumohet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk përdoret për prodhimin e energjisë apo nxehtësisë.