AKTUALITET, 1 Qershor 2026, 14:42

Punimet në rrugën Elbasan-Qafë Thanë/ ARRSH: Brenda qershorit hapen 7.5 km e parë me dy kalime

Punimet në rrugën Elbasan-Qafë Thanë/ ARRSH: Brenda

Brenda muajit qershor pritet të hapet për qarkullim në të dy drejtimet e lëvizjes segmenti i parë, prej 7.5 km, i rrugës Elbasan-Qafë Thanë të Korridorit VIII. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, nga tetë kontratat që përbëjnë këtë aks, njëra është përfunduar plotësisht, ndërsa po vijojnë punimet për mbylljen e fazës së dytë.

Aktualisht, qarkullimi kryhet vetëm në njërën anë të rrugës, ndërsa shpronësimet e miratuara së fundmi nga qeveria pritet të mundësojnë hapjen e plotë të trafikut në segmentin e parë.

Paralelisht, bëhet me dije se pjesa më e madhe e punimeve në lotet aktuale parashikohet të përfundojë deri në fund të vitit 2026, ndërsa përfundimi i plotë i të tetë fazave të projektit synohet brenda dhjetorit 2027.

Paralelisht, gjatë këtij viti pritet të nisë edhe zbatimi i një kontrate të re, e njohur si faza e nëntë, ku përfshihet tuneli i Hotolishtit, i cili do t’i japë zgjidhje përfundimtare problematikës së krijuar në këtë fshat. Kjo pasi projekti i mëparshëm e ndante fshatin në dy pjesë, çka solli edhe kundërshtimin e banorëve të zonës. Sipas ARRSH-së, kjo ndërhyrje konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të projektit, pasi shmang ndikimet që do të kishte ndërtimi i rrugës në sipërfaqe dhe adreson kërkesat e komunitetit dhe të biznesit lokal.

Korridori VIII është një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në vend dhe synon të lidhë portet shqiptare me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me rrjetin evropian të transportit.