AKTUALITET, 5 Prill 2024, 11:27

Protesta e opozitës te Bashkia e Tiranës, Belind Këlliçi: Do të arrestohet apo jo, Veliaj s’do të jetë me në atë zyrë

Protesta e opozitës te Bashkia e Tiranës, Belind Këlliçi:

Sot, para Bashkisë së Tiranës, po zhvillohet një protestë me pjesëmarrjen e Rithemelimit dhe Aleancës për Teatrin.

Belind Këlliçi tha se ky është vetëm fillimi i protestave që do të kulmojë deri në largimin e kryetarit.

Duke qenë se trafiku nuk është bllokuar, ka pasur një përplasje mes policisë dhe protestuesve.

“Veliajt i kanë ngrënë mollë dhe fiq pas kurrizit. Jemi në momentet e para dhe nuk kuptojmë pse policia nuk ka bllokuar qarkullimin.

Qëllimi në mënyrë të padiskutueshme është largimi nga zyra i një banditi që çdo ditë futet brenda për të vjedhur taksat tona, për t’u pasuruar në kurriz të qytetarëve të Tiranës dhe për të vjedhur milionat e eurove te inceneratori i Tiranës dhe te bandit e tij te 5D-ja. Po hapim sagën e protestave që do të kullojë me largimin e Erion Veliajt”, tha ai.

Ish-kandidati i Rithemelimit për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, organizator i kësaj proteste që do të mbahet para Bashkisë së Tiranës, ka gjetur një simbolikë për këtë tubim, ndërsa në duar mban një mollë. Ai tha se me protesta do të largohet Veliaj nga vendi, arrestohet apo jo.

“Po presim dhe drejtuesit e mbrojtës së Teatrit. Protesta do të nisë. Qëllimi është që të ketë reagim ndaj një banditi, që çdo ditë vjedh taksat tona, për t’u pasuruar me taksat e qytetarëve dhe me banditët e tij si kompania 5D. Madje askush nuk ka marrë masa. Protestat do të kulmojnë me largimin e Veliajt nga zyra. Arrestohet apo jo, Veliaj, ne do ta nxjerrim nga zyra.”, tha ai.

Pak ditë më parë zyrtarë të Bashkisë së Tiranës u arrestuan, mes tyre Mariglen Qato dhe Redi Molla.

Shefi i organizimit të Rithemelimit, Klevis Balliu, në deklaratën e tij përpara Bashkisë së Tiranës, ku po zhvillohet protestë kundër Veliajt, për shkak të dosjes 5D, deklaroi se Erion Veliaj është koka e organizatës që u shkatërrua nga SPAK.

Balliu theksoi policia duhet të mos merret me qytetarët, por të kapë hajdutët.

“Qyteratët po vidhen. Policia mos të kapë qytetarët, por të kapë hajdutët. Veliaj është koka e organizatës 5D”, deklaroi Balliu.

Ndërsa, një qytetar deklaroi se qeveria po vjedh vendin. “Edhe në Turqi nuk u blenë votat, atje u rrëzua Erdogan. Unë kam dalë të protestojë kundër kësaj qeverie kriminale, që prish shtëpitë”, tha ai.

Ndërsa, protestuesit përpara derës të Bashkisë së Tiranës thirrën “hajdutë”, “Poshtë korrupsioni në Bashki” etj.