AKTUALITET, 10 Janar 2026, 15:28

Protesta e 24 janarit/ Berisha: S’marrim pushtet me dhunë, Rama të ikë një minutë e më parë!

Protesta e 24 janarit/ Berisha: S’marrim pushtet me dhunë, Rama

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të Kryesisë së PD-së për datën e protestës.

Në një prononcim për median, Berisha deklaroi se opozita po planifikon protesta të ndryshme, të cilat do të shqyrtohen dhe do të vendosen në kohën e duhur. Ai theksoi se mesazhi i PD-së për qeverinë është i qartë: “ik një minutë e më parë”.

“Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur. Ne jemi të vendosur të shkojmë gjer në fund për largimin e kësaj organizate kriminale, e cila siç e patë edhe nga intervista e fundit e Arben Ahmetaj, ka amnistuar rreth 12 miliardë euro të vjedhura nga qeveritarët dhe të amnistuara nga SPAK-u i partisë”, tha Berisha.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse protesta e 24 janarit mund t’i ngjajë ngjarjeve të 21 janarit, Berisha u shpreh: “21 janari është vepër e Edi Ramës. Unë nuk marr pushtet me dhunë. E kam deklaruar këtë më 12 dhjetor 1990 dhe kam qenë konsekuent në këtë linjë. Natyrisht, Edi Rama po shkon drejt grahmave të fundit dhe zemërimi popullor do të bjerë mbi të.”