AKTUALITET, 27 Janar 2025, 10:02

Prokuroria kërkon 'arrest me burg'/ I dyshuar për vrasjen e Lulzim Vishës, nis seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Eduart Lamit

Prokuroria kërkon 'arrest me burg'/ I dyshuar për vrasjen e

Sapo ka nisur në Gjykatën e Tiranës seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Eduart Lamit.

Zyrtarisht Lami akuzohet për armëmbajtje pa leje, por policia e dyshon për vrasjen e Lulzim Vishës.

Nga ana e saj Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg.

Arrestimi i Lamit

Eduart Lami është ndaluar gjatë kontrolleve në zonën e Kamzës për akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërsa është shpallur në kërkim kushëriri i tij, Ervis Lami.

Gjithashtu, dyshohen si të përfshirë në atentatin ndaj 48-vjeçarit Lulzim Visha, ndaj të cilit u qëllua me të pakten 12 plumba teksa ndodhej në automjetin e punës.

Ndërkohë hetimet e policisë janë përqëndruar në një konflikt që viktima dhe vëllai i tij kanë pasur kohët e fundit.

Zbulimi i dy kushërinjve

Blutë kanë kryer kontrolle në banesën në rrugën Paqësore, Zall Mner, gjatë hetimeve për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit, Lulzim Visha.

Mësohet se gjatë kontrolleve u gjetën një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e shtëpisë janë gjetur 4 gëzhoja armë.

“Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale”, informojnë blutë.

Raportohet se banesa ku u gjetën sendet e kundraligjshme është në posedim të Ervis Lamit dhe përdorej nga 31-vjeçari, si edhe kushëriri i tij, Eduart Lami.

Në pranga u vendos 37-vjeçari, banues në Kamëz, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.

Ndërsa u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e Ervis Lamit.