AKTUALITET, 19 Janar 2026, 17:08

Projektligji për Policinë Bashkiake, Koçiu: Përmirësim i shërbimeve dhe rritje e sigurisë publike

Projektligji për Policinë Bashkiake, Koçiu:

Përmirësimi i shërbimeve dhe rritja e sigurisë publike janë në qendër të projektligjit të ri “Për Policinë Bashkiake”, i cili synon forcimin e rolit të strukturave vendore dhe rritjen e efikasitetit të tyre në shërbim të qytetarëve. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, nisma, pas konsultimit publik pritet të diskutohet në Këshillin Konsultativ me pushtetin vendor.

“Përmirësimi i shërbimeve dhe rritja e sigurisë publike janë në qendër të projektligjit të ri për Policinë Bashkiake. Përmes këtij vizioni, forcojmë rolin e strukturave vendore duke i bërë ato më efikase, profesionale dhe me standarde të njëjta në çdo bashki, përmes një organizimi të Policisë Bashkiake në dy nivele: qendror dhe vendor.”, thekson ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, në një postim në rrjetet sociale. 

Projektligji në fjalë, sipas ministres parashikon një organizim të ri të Policisë Bashkiake në dy nivele, në nivel qendror dhe nivel vendor, duke vendosur standarde të njëjta profesionale dhe funksionale në të gjitha bashkitë e vendit.

Niveli qendror do të ketë përgjegjësinë për përcaktimin e standardeve kombëtare, koordinimin e punës së drejtorive vendore dhe garantimin e bashkëpunimit të fortë ndërinstitucional. Ky nivel do të ushtrojë një rol mbështetës dhe koordinues, pa cenuar autoritetin e njësive të vetëqeverisjes vendore.

Ndërkohë, niveli vendor do të vijojë të ketë autoritet të plotë në terren, me kompetenca të shtuara, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve më cilësore, më të shpejta dhe më efektive për komunitetin.