AKTUALITET, 3 Maj 2024, 20:31

Projektligji me ndryshimet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese/ Studentët e Mjekësisë dalin kundër: Do t'i drejtohemi Strasburgut

Projektligji me ndryshimet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese/

Studentët e Mjekësisë janë shprehur kundër projektligjit me ndryshimet që kërkoi Gjykata Kushtetuese. Ata thanë se ndihen të injoruar që ministria nuk i ka ftuar për konsultime, ndërsa paralajmëruan se do të zhvillojnë sërish protesta dhe thanë se do t'i drejtohen gjykatës në Strasburg. 

"Protesta e studentëve të Mjekësisë nuk ishte për reduktimin e viteve të punës së detyruar ishte sepse ne ishim kundër idesë së ligjit në tërësi. Kur studentët e Mjekësisë ishin kaq të rëndësishme për Shqipërinë, pse ministritë përkatëse nuk i ftuan për diskutim studentët. Mbajtja peng e diplomës dhe puna e detyruar nuk janë mënyra ideale të mbash mjekët në Shqipëri. Ka mënyra shumë herë më natyrale që janë investimi në sektorin shëndetësore të cilat nuk lënë vend për punë të detyruar por të dëshiruar. Jemi drejt përfundimit të një drafti ligjor ta çojmë çështjen në gjykata ndërkombëtare."- u shpreh një nga studentët.

Në projektligjin i cili është hedhur për konsultim deri në 29 maj është ulur detyrimi për të ofruar shërbim shëndetësor në vendin e tyre pas përfundimit të studimeve. Pasi Gjykata Kushtetuese tha se afati 5 vjetor është jo-proporcional, ka bërë që qeveria të propozojë që ky afat të ulwt në 3 vite. 

Afati është ulur edhe për studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt, nga 3 vite që parashikonte ligji më parë, në 2, dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë, që ligji parashikonte dy vjet punësim të detyruar brenda Shqipërisë duke e ulur me një vit.

Në nisje të vitit akademik studentët e Mjekësisë bojkotuan mësimin dhe zhvilluan protesta kundër ligjit që i vendoste mes dy zgjedhjeve. Përtej viteve të shkollës, atyre do t'ju duhej që të punonin edhe 5 vite për të marrë diplomën. Në të kundërt do të duhej që të paguajnë tarifën më shumë se të tjerët.