AKTUALITET, 5 Prill 2024, 19:11

Projektligji/ Bizneset, detyrime për etiketat e klasit të energjisë, gjoba deri 350 mijë lekë në rast shkeljesh

Projektligji/ Bizneset, detyrime për etiketat e klasit të

Furnizuesit dhe tregtarët do të kenë detyrime të reja në drejtim të etiketimit të produkteve për klasin e energjisë, ndërkohë që në rast të shkeljes së tyre parashikohen edhe gjoba. Sipas projektligjit të depozituar në Kuvend qëllimi është vënia në dispozicion e informacionit mbi konsumin e energjisë dhe burimeve të tjera, të produkteve me ndikim në energji për konsumatorin fundor.

Sakaq, sipas relacionit shoqërues, etiketa duhet të përfshijë informacione standarde të produkteve në lidhje me eficiencën e energjisë, konsumin e energjisë dhe të burimeve të tjera gjatë përdorimit, duke u mundësuar kështu klientëve që të zgjedhin produkte më eficiente në mënyrë, që të reduktojnë konsumin e tyre të energjisë, raporton scan. Ligji jep edhe detaje mbi përmbajtjen që duhet të ketë etika apo pozicionimin e saj, duke specifikuar se ajo duhet të ketë karakteristika dizenjimi sa më të njëtrajtshme, përmes grupeve të produkteve dhe në çdo rast, të jetë qartësisht e lexueshme dhe e dukshme.

Ndërkaq, sa i takon masës së gjobave drafti i depozitaur në Kuvend ka pësuar ndryshime nga ai që u nxor për konsultim publik, që parashikonte se varësi të shkeljes së konstatuar gjobat mund të ishin sa dhjetëfishi deri në pesëdhjetëfishi i çmimit për njësi të produktit të ofruar për përdoruesin fundor. Sipas variantit të depozituar në Kuvend vlera e gjobave, në varësi të shkeljes shkon nga 150 mijë-në 350 mijë lekë. Ndërkohë që, kur edhe pas marrjes së masave, furnizuesi ose tregtari rezulton se përsërit shkeljen për të njëjtin produkt, atëherë masat e gjobës dyfishohen.