TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ambasada e Shtetet e Bashkuara në Tiranë reagoi lidhur me shqetësimet e banorëve për projektin e rijetëzimit TID Durrës, duke theksuar se Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AAFD) është një institucion i pavarur dhe nuk ndikohet nga Departamenti i Shtetit.
Në përgjigjen zyrtare drejtuar urbanistes Entela Koja, e cila përfaqëson një familje të prekur nga projekti, ambasada konfirmon marrjen e letrës së komunitetit që ngrinte shqetësime mbi shkelje të mundshme të të drejtave të pronës dhe standardeve ndërkombëtare. Në përgjigje theksohet se AAFD është një organizatë e pavarur dhe se Departamenti i Shtetit nuk ka rol mbikëqyrës mbi të. Ambasada shpreh gjithashtu vlerësimin për faktin që komuniteti ka ndarë shqetësimet e tij përmes kanaleve zyrtare dhe shpreson që çështja të zgjidhet përmes procedurave të duhura.
Projekti dhe kundërshtimet e banorëve
Debati ka të bëjë me projektin e rijetëzimit të Bulevardit “Epidamn” në Durrës, një rrugë historike që lidh bashkinë me portin. Projekti, i realizuar në bashkëpunim mes AAFD, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit, parashikon shpronësimin e disa pronave private. Qeveria ka caktuar 315.5 milionë lekë për kompensimin e 74 familjeve, megjithatë banorët kundërshtojnë vlerat, duke pretenduar se janë më të ulëta se çmimi i tregut.
Komuniteti ka nisur procedura gjyqësore, ankesat administrative dhe ka komunikuar me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, duke kërkuar që zhvillimi i zonës të bëhet në përputhje me ligjin dhe të drejtat e pronarëve.
