TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Drejtori i Policisë Vendore Tiranë, Oliger Torba, gjatë një konference për shtyp pasqyroi rezultatet e punës së policisë gjatë muajit maj.
Torba bëri me dije se gjatë muajit maj janë evidentuar 1436 raste të veprave penale të ndryshme, prej të cilave janë zbuluar 1331, ose 92.6%.
Sipas tij, për këto vepra penale janë identifikuar 1376 autorë të dyshuar, nga të cilët 247 janë vënë në pranga (arrestuar ose ndaluar), 1055 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 60 janë shpallur në kërkim.
“Gjatë kësaj periudhe janë finalizuar 58 operacione policore për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, goditjes së lojërave të fatit, call-centerave, prostitucionit, krimeve ndaj personit dhe pronës etj.
“Janë kapur gjatë operacioneve, por edhe punës së përditshme, 46 persona të shpallur në kërkim kombëtar dhe 6 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, kryesisht për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, krimeve kundër pronës dhe personit, si dhe trafiqeve të paligjshme”, tha ai.
Gjithashtu, Torba theksoi se, në fushën e krimit ekonomik e financiar janë evidentuar 168 raste me 197 autorë, nga të cilët 36 janë arrestuar, 151 janë proceduar dhe 10 janë shpallur në kërkim.
“Në drejtim të goditjes së prostitucionit janë finalizuar dy operacione të koduara “Flats” dhe “Foleja”, ku janë arrestuar 5 shtetase të huaja. Janë zhvilluar 6 faza të operacionit të koduar “Stolen Line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri të automjeteve të vjedhura jashtë shtetit, ku janë sekuestruar 6 automjete me vlerë nga 50.000 deri në 500.000 euro. Për këto raste janë proceduar 6 shtetas”, njoftoi Torba.
Ai shtoi se janë janë evidentuar dhe goditur 3 raste të mashtrimit për të përfituar shuma parash, duke u prezantuar si zyrtarë apo të afërm të personave që mashtroheshin, për t’u marrë shuma të konsiderueshme në euro.
“Për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore janë goditur 123 raste, janë evidentuar 143 autorë, nga të cilët 10 janë arrestuar, 127 janë proceduar dhe 6 janë shpallur në kërkim.
“Në kuadër të parandalimit dhe goditjes së kultivimit të bimëve narkotike janë sekuestruar 3.000 fara kanabisi, si dhe janë asgjësuar 1415 bimë dhe fidanë të dyshuar kanabisi”, tha ai.
Sipas Torbës, gjatë muajit maj dhe dy javëve të para të muajit qershor janë trajtuar në total 2156 konflikte, nga të cilat 90 konflikte në familje, ndërsa 2066 për motive të ndryshme.
Nga ana tjetër, Drejtori për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, Ermal Haxhi, tha se muaji maj ka shënuar zyrtarisht nisjen e një prej sfidave më të mëdha për këtë vit: menaxhimin e fluksit të jashtëzakonshëm të udhëtarëve dhe turistëve që zgjedhin Shqipërinë përmes portës kryesore të vendit, Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Sipas tij aktualisht në Pikën e kalimit Kufitar Aerporti Rinas janë funksionale 37 sportele dhe E-gate për përpunimin e pasagjerëve .
“Gjatë muajit maj 2026, në pikën e kalimit kufitar Aerporti Rinas janë përpunuar 1.234.500 shtetas dhe 7.480 avion. Fluksi maksimal i regjistruar brenda 24 orëve ka arritur në 47.358 shtetas dhe 270 avion, tregues që konfirmojnë rritjen e ndjeshme të lëvizjeve ndërkufitare ne kete fillim sezonit turistik”, tha ai.
Haxhi shtoi se, si rezultat i kontrolleve dhe veprimtarisë policore të ushtruar gjatë muajit maj 2026, janë evidentuar dhe referuar materialet në Prokurori, për 34 vepra penale me 36 autor me fuqi zbuluese 100 %.
Gjithashtu, Haxhi bëri me dije se, gjatë kësaj periudhe një fokus shumë i rëndësishëm i strukturave të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë kanë qenë shtetasit e huaj të cilët kanë aplikuar për t’u paisur me leje qëndrimi dhe leje unike, ku vlen për t’u theksuar se gjatë muajit maj 2026 janë regjistruar 1716 aplikime online për leje qëndrimi/unike nëpërmjet sistemit e-Albania, me nje rritje prej 23 % me shume se muaji maj i vitit 2025.
Në fushën e migracionit të parregullt janë trajtuar 36 raste, ku janë përfshirë 36 shtetas të huaj të konstatuar të parregullt në territor.