TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani ka reaguar pas incidentit të rëndë, ku një polic hoqi flamurin shqiptar të vendosur për festat e nëntorit dhe e hodhi atë në tokë.
Në një postim në ‘Faecbook’, ambasadori shqiptar thotë se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet dhe se po veprohet në përputhje me praktikën diplomatike.
Meidani shton se “diplomacia nuk është një reality show".
“Po ndjekim me vëmendje situatën, jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse, gjithë faktorin politik shqiptar dhe partnerët tanë. Ju siguroj që po veprojmë në përputhje me praktikën diplomatike.
Diplomacia nuk është një reality show, marrëdhëniet mes shteteve nuk ndërtohen mbi emocionet e individëve, çështjet shkojnë përtej asaj që duket. Qetësia dhe maturiteti mbeten udhërrëfyesit tanë”, shkruan ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Situatë e turpshme ndodhi të premten ku policia ka ndërhyrë për të hequr flamujt shqiptarë të vendosur për festat e 28 dhe 29 Nëntorit.
Në pamjet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, dallohet një polic që heq nga shtylla flamurin shqiptar. Ngjarja ka ndodhur në Kumanovë.
Zv/minisri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni reagoi për ngjarjen, duke thënë se do të merren masa disiplinore për punonjësin e policisë.
“Do të ketë një procedurë disiplinore kundër punonjësit të MPB-së që hodhi flamurin shqiptar. Çdo punonjës i MPB-së ka detyrimin të respektojë ligjet dhe simbolet e të gjitha bashkësive etnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosrespektimi i këtyre detyrimeve do të sanksionohet pa përjashtim.
Ligjet do të zbatohen njësoj për të gjithë, ndërsa institucionet do të jenë garancë për respektimin e tolerancës dhe të drejtave ndërmjet të gjitha komuniteteve.
Dje të gjithë së bashku e dënuam aktin e fyerjes së flamurit shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke konfirmuar angazhimin tonë për bashkëjetesë dhe respekt reciprok. Sot, gjithashtu e dënoj dhe konfirmoj se do të ketë përgjegjësi për punonjësin e Ministrisë së Punëve të Brendshme që ka vepruar në mënyrë fyese dhe të papranueshme ndaj flamurit, i cili është simbol kombëtar i shqiptarëve, një flamur që është rregulluar me ligj për përdorim sipas normave ligjore të shtetit tonë”, ka deklaruar Iseni.