TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia e Dibrës ka finalizuar operacionin e koduar “Dërgesa”, duke goditur një rast të kontrabandës së mallrave të dyshuara të futura ilegalisht nga Maqedonia e Veriut. Në pranga ka rënë një 38-vjeçar, ndërsa vëllai i tij është shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë proceduar penalisht tre doganierë të Pikës së Kalimit Kufitar Bllatë, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrollit të një furgoni tip “Benz”, i ndaluar në aksin rrugor Maqellarë–Bulqizë, policia gjeti 762 koli me pije freskuese pa dokumentacion shoqërues. Kontrollet vijuan edhe në banesën e të dyshuarit dhe në një automjet tjetër tip “Volkswagen”, ku u zbuluan 1296 koli të tjera me pije freskuese dhe 638 kuti me produkte ushqimore, kryesisht salcë.
Pas veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi E.H., 38 vjeç, banues në fshatin Pocest të Maqellarës, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”. Ndërkohë, policia shpalli në kërkim vëllain e tij, L.H.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “Dërgesa”, ku u godit një rast i kontrabandës së mallrave. U kap në flagrancë në aksin rrugor “Maqellarë–Bulqizë”, duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut, arrestohet 38-vjeçari dhe shpallet në kërkim vëllai i tij.
Procedohen penalisht 3 doganierë të PKK Bllatë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Sekuestrohen mallrat e kontrabanduara dhe 2 automjete. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimit ekonomik dhe financiar, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër në bashkëpunim të ngushtë me Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizuan operacionin policor të koduar “Dërgesa”.
Në aksin rrugor Maqellarë–Bulqizë, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi E. H. Gjatë kontrollit të automjetit tip “Benz”, furgon, u gjetën 762 koli me pije freskuese pa faturë shoqëruese. Gjithashtu, gjatë kontrolleve në ambientet e banesës dhe në një automjet tjetër tip “Volkswagen”, u gjetën 1296 koli me pije freskuese dhe 638 kuti me produkte ushqimore (salcë). Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 38 vjeç, banues në fshatin Pocest, Maqellarë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, ndërsa u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi L. H.
Nga hetimet paraprake dyshohet se dy vëllezërit kanë futur në territorin e Republikës së Shqipërisë mallrat e sipërpërmendura në mënyrë të kundërligjshme, duke shmangur procedurat e kontrollit dhe deklarimit doganor.
Në vijim të veprimeve, nisi procedimi penal për veprën “Shpërdorimi i detyrës” për shtetasit B. C., 43 vjeç; Sh. K., 60 vjeç; dhe F. M., 48 vjeç, të tre me detyrë doganierë në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.